Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka nisur fundjavën nga Pogradeci, qyteti i qetë liqenor që një javë më parë u trondit nga një ngjarje makabre. Pas shpinës së tij duken shtëllungat e tymit nga Mali i Thatë, i cili prej ditësh vazhdon të jetë nën pushtetin e flakëve.
"Ndërkohë që Shqipëria vazhdon e digjet, edhe Edi Rama vazhdon e krihet, edhe për pak kohë", paralajmëron Ilir Meta.
Në videon e tij, kryetari i Partisë së Lirisë i referohet zjarreve që kanë rënë në zona të ndryshe të territorit, akuzave për vjedhjen e pronave në bregdetin e jugut, si dhe atij që ai e quan "regjim i Dum Dumanëve" që ka tronditur Pogradecin.
"Dielli lindi sot në Pogradec mes flakëve që kanë pushtuar prej ditësh Malin e Thatë, që vazhdon të digjet.
Ndërkohë Edi Rama vetëm krihet, Gjipeja vidhet dhe regjimi i tij i Dum-Dumanëve e ka tronditur Pogradecin me një vrasje kriminale siç i ka hije një regjimi që nuk ka në themelet e tij të drejtat e qytetarit, por vetëm grabitjen e tij dhe ndaj i ka vënë zjarrin prej kohësh shtetit të së drejtës.
Prandaj Shqipëria vazhdon e digjet dhe Edi Rama vazhdon e krihet, por edhe për pak kohë", shkruan Ilir Meta, ndërkohë që ndan edhe videon e mëposhtme.