
Kryeministri Edi Rama ka replikuar sërish me ndjekësit në rrjetet sociale. Rama është përgjigjur ndaj kritikave të komentuesve, që turizmi në Shqipëri u shërben më shumë të huajve se sa vendasve.
Në rubrikën "Sy m'Sy", Kreu i qeverisë ka folur me shifra, duke theksuar se janë mijëra shqiptarë rezidentë në vend të cilët bëjnë pushime brenda në Shqipëri.
“Shumë investime në luks dhe gjëra dëfrimi (Shqipëri për të huajt dhe për pak shqiptarët) shpien në varësi nga prurjet e turizmit dhe paqëndrueshmëri ekonomike. Duhen investime nbë ekonominë bazë që mban popullin të lidhur me territorin si në bujqësi dhe industri të lehtë përpunuese, pse jo dhe në naftë minerale që duhet ti kthehen shtetit. Falimentimi i shteteve dhe zhytja në borxhe erdhi kur neliberizimi i detyroi shtete të shesin asete prodhuese me fitim”, ka qenë ky komenti që kreu i qeverisë i është përgjigjur.
Në përgjigje të komentit, Rama thotë se sot në vend, përveç turistëve të huaj edhe shqiptarët rezidentë frekuentojnë bujtinat dhe hotelet në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, Rama tha se gjatë vitit 2024 kanë qenë rreth 979, 456 rezidentë shqiptarë që kanë qenë pushues brenda në Shqipëri.
Kreu i qeverisë thotë se Shqipëria është parë si delja e zezë dhe turistët ishin kryesisht emigrantë shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa theksoi sot janë shtuar miliona të huaj.
“Shqipëria për të huaj dhe pak për shqiptarët. Me të vërtetë e ke?! Këta të huajt kur vijnë këtu i marrin me vete ushqimet apo hanë në tryezat e shqiptarëve apo i marrin me vete krevatet apo flenë në bujtinat dhe shtëpitë e shqiptarëve. Dhe tjetra se kjo është çudi e madhe kur thuhet se shqiptarët nuk bëjnë turizëm dhe se në Korçë nuk ka shqiptarë të tjerë përveç ca që vijnë nga Tirana.
Sa shqiptarë bëjnë pushime brenda apo lëvizin për fundjava, s’po flas për ata që vijnë nga jashtë për pushime por për ata që janë në Shqipëri.
Ja çfarë thotë INSTAT, jo Qeveria e Shqipërisë: 976.456 shtetas rezidentë shqiptarë kanë qenë pushues në bujtinat dhe hotelet e vendet gjatë vitit 2024 dhe këtu nuk futen ata që kanë rezidenca dytësore. Rëndom ata që nuk e duan qeverinë dhe ky nuk është faj dhe përdorin argumentin se unë qënkam jashtë realitetit dhe se realiteti qenka mysybet nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka bukë.
Po si shpjegohet që realiteti sipas këtyre ka qenë më i mirë derisa erdhëm ne dhe e prishëm? Shqipëria është parë si dele e zezë nga të gjithë dhe turistët që vinin nga jashtë, ishin shumica dërrmuese shqiptarë emigrantë, apo shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë. Ndërsa sot jo vetëm që këta të fundit janë shtuar, por janë shtuar edhe miliona, miliona të huaj.
Nuk e di, inati politik e bëka njeriu të verbër e shurdh, tamam tifoz futbolli, ndërkohë këtu të gjithë kemi një flamur, kemi flamurin e Shqipërisë.
Sidoqoftë dielli nuk mbulohet me shoshë dhe shqiptarët që luftojnë, punojnë dhe shohin e vlerësojnë gjërat e bëra me luftë dhe me punë i kanë të qarta. I kanë të qarta dhe faktet dhe rrugën përpara drejt majës 2030 në Bashkimin Europian”, thotë Rama.