Shqipëria ka marrë Presidencën e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), detyrë që do ta mbajë deri në qershor 2025. Në takimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv të ICIC, u vendos që Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, të drejtojë këtë konferencë ndërkombëtare.
Komiteti vlerësoi kapacitetin dhe profesionalizmin e spikatur të Dervishit gjatë viteve të tij në këtë fushë. Më herët, Presidencën e kësaj Konference e mbajti Autoriteti Meksikan për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit, e cila u mblodh për herë të parë në vitin 2003, ka mbi 90 vende anëtare nga e gjithë bota. Ediçioni i fundit u mbajt në Shqipëri në qershor të vitit 2024. Takimi i ardhshëm do të zhvillohet në Berlin në muajin qershor.
Konferenca ka për qëllim promovimin e aksesit në informacionin publik dhe mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve për informacion. Ajo ndihmon në ndarjen e njohurive, krijimin e kapaciteteve dhe avancimin e praktikave më të mira për qeverisjen demokratike dhe transparente.