Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

“Shqipëria ka bërë hapa para”, Balluku: Qëllimi për 2030 të kemi 1 miliard euro eksporte bujqësore

Shkruar nga Newsbomb
“Shqipëria ka bërë hapa para”, Balluku: Qëllimi
Belinda Balluku

Zv.kryeministrja, njëherësh dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj në simpoziumin ndërkombëtar “Sfida dhe inovacione për diga të sigurta”, tha se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme përpara. Ajo bëri me dije se Shqipëria mban vendin e parë në Europë për numër të digave të mëdha për 1 milion banorë, si dhe për km2. 

“Kështu që Republika e Shqipërisë ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Fillimisht me identifikimin e të gjithë digave në territorin tonë, të ndara këto sipas madhësisë, në diga të mëdha, në diga të mesme apo diga të vogla. Diga të cilat prodhojnë energji dhe janë një ‘case study’ përsa i përket hidroenergjetikës apo diga të cilat janë të vendosura në rezervuarët tonë që kanë padyshim edhe ato nevojë për t’u mirëmbajtur, për t’u rikonstruktuar, por që nga ana tjetër janë një vepër arti sesi e gjithë Republika e Shqipërisë ka arritur që në fillim të viteve ’70 të vaditet përmes rezervuarve”, tha Balluku teksa më tej vijoi duke thënë se vendi ynë vitin e kaluar e ka mbyllur me 500 milionë euro eksporte dhe qëllimi është që deri në 2030 vetëm eksportet e prodhimeve bujqësore të arrijnë në 1 miliard euro.

“Nuk duhet lënë pas dore dhe duhen shënuar disa hapa të rëndësishme që kemi hedhur, pasi në ndërkohë që kemi monitoruar digat, kemi analizuar dhe kemi inspektuar për të pasur një plan të qartë se kush është gjendja e tyre fizike sot, pasi kemi diga të cilat ka nisur ndërtimi i tyre që në vitet ’50 dhe shumica e tyre siç e tha edhe zoti Jovani janë mbi 50 vjet, por nga ana tjetër kemi ndërmarrë dhe një sërë masash për identifikimin e problematikave apo edhe për rehabilitimin e tyre. Duhet më shumë vëmendje. Sigurisht, duhet më shumë vëmendje. Asnjëherë puna nuk mbaron, por Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në ndryshim total të 10 viteve më parë i ka dhënë një vëmendje të veçantë digave. Unë personalisht jam ulur me anëtarët e KKDM-së për të kuptuar të gjithë problematikën, pasi kemi identifikuar që KKDM-ja nuk është aty vetëm për digat, por është për të na ofruar edhe këshillime të mëtejshme, pasi digat janë ngushtësisht të lidhura edhe me përmbytjet”, tha Balluku ndër të tjera.

Pjesë nga fjala e zv.kryeministres:

Është kënaqësi të jem këtu me ju sot. Dua të falënderoj të gjithë të ftuarit dhe bashkëpunëtorët e KKDM-së që padyshim të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare ndikojnë ndjeshëm në rritjen e eksperiencës dhe në krijimin e kontakteve të duhura për të shkuar përpara.

Kam një fjalim që nis me “është kënaqësi e madhe, një punë e mrekullueshme nga KKDM-ja”, por duke dëgjuar Arjanin them që këtë fjalimin ta ndërroj, se unë s’kam dhe shumë dëshirë që ti qëndroj fjalimeve që shkruhen zakonisht nga kabineti, pasi jam një nga ato ministre që i kam hyrë thellë portofolit që mbuloj në këtë rast edhe Komitetit të Digave.

Është e rëndësishme shpeshherë dhe më shumë e rëndësishme sesa të lëvdojmë veten që të identifikojmë problematikat, por tek të dëgjoja Arjan që identifikoje për shembull problemet rregullatore që ne kemi apo ligjin, një nga detyrat që ka KKDM-ja është padyshim që të punojë përsa i përket kuadrit rregullator dhe përsa i përket gjithçkaje që vendos funksionimin e digave në Republikën e Shqipërisë të cilën shumë drejtë e the që është një nga vendet me numrin më të lartë të digave për 1 milion banorë apo për kilometër katrorë. Kështu që unë do ti kërkoja zyrtarisht sot KKDM-së që përveç pjesëmarrjes në konferenca, të cilat padyshim janë të rëndësishme sepse sjellin dije, eksportojnë dije dhe importojnë dije, padyshim do të duhej që të kishte një rol më aktiv përsa i përket pikërisht digave në Republikën e Shqipërisë.

Eksperienca europiane është e vyer, por ne kemi dhe një eksperiencë shumë të mirë që është ajo e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Kaskada e Drinit në dijeninë time jo të pakët, pas 6 vitesh që drejtoj sektorin energjetik në Republikën e Shqipërisë dhe që e njoh me pëllëmbë atë kaskadë është një kryevepër arti e sistemit hidroenergjetik dhe për më tepër është një kryevepër arti e sistemit të digave. Padyshim e lënë pas dore, por vite më parë dhe jo sot që flasim, pasi sot që flasim kam pasur ndërhyrje shumë të rëndësishme që zoti Jovani dhe të gjithë anëtarët e KKDM-së e dinë edhe më mirë se unë, të paktën shpresoj unë që ti dinë,  që kanë qenë ndërhyrje të rëndësishme si për mirëmbajtjen e këtyre digave edhe për sistemin elektromekanik të tyre.

Kështu që Republika e Shqipërisë ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Fillimisht me identifikimin e të gjithë digave në territorin tonë, të ndara këto sipas madhësisë, në diga të mëdha, në diga të mesme apo diga të vogla. Diga të cilat prodhojnë energji dhe janë një ‘case study’ përsa i përket hidroenergjetikës apo diga të cilat janë të vendosura në rezervuarët tonë që kanë padyshim edhe ato nevojë për t’u mirëmbajtur, për t’u rikonstruktuar, por që nga ana tjetër janë një vepër arti sesi e gjithë Republika e Shqipërisë ka arritur që në fillim të viteve ’70 të vaditet përmes rezervuarve. Nëse ka diçka që ne sot duhet të ndërhyjmë dhe këtu po i referohem sektorit të digave të cilat përdoren nga bujqësia, duhet të ndërhyjmë në kanalizime. Rrjetin e kanalizimeve të lidhur me rezervuarët i cili padyshim për shkak edhe të ndërtimeve informale, për shkak të një tranzicioni 30 vjeçar ka pësuar dëme të konsiderueshme që do të ishte e udhës dhe është në planet e qeverisë të rehabilitojmë këtë rrjet, duke qenë se bujqësia vazhdon të jetë një nga sektorët më fitimprurës në ekonominë e vendit, me ndikim të jashtëzakonshëm në shifrat e eksporteve shqiptare.

Kemi mbyllur vitin e kaluar me 500 milionë euro eksporte dhe kërkojmë që deri në 2030 vetëm eksportet e prodhimeve bujqësore të arrijnë në 1 miliard euro, duke bërë shumë të rëndësishme dhe infrastrukturën mbështetëse bujqësore.

Nuk duhet lënë pas dore dhe duhen shënuar disa hapa të rëndësishme që kemi hedhur, pasi në ndërkohë që kemi monitoruar digat, kemi analizuar dhe kemi inspektuar për të pasur një plan të qartë se kush është gjendja e tyre fizike sot, pasi kemi diga të cilat ka nisur ndërtimi i tyre që në vitet ’50 dhe shumica e tyre siç e tha edhe zoti Jovani janë mbi 50 vjet, por nga ana tjetër kemi ndërmarrë dhe një sërë masash për identifikimin e problematikave apo edhe për rehabilitimin e tyre. Duhet më shumë vëmendje. Sigurisht, duhet më shumë vëmendje. Asnjëherë puna nuk mbaron, por Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në ndryshim total të 10 viteve më parë i ka dhënë një vëmendje të veçantë digave. Unë personalisht jam ulur me anëtarët e KKDM-së për të kuptuar të gjithë problematikën, pasi kemi identifikuar që KKDM-ja nuk është aty vetëm për digat, por është për të na ofruar edhe këshillime të mëtejshme, pasi digat janë ngushtësisht të lidhura edhe me përmbytjet. Një nga zgjidhjet që i kemi dhënë përmes analizave dhe studimeve që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka bërë, padyshim me mbështetjen e KKDM-s, ka qenë edhe zgjidhja e problematikës së përmbytjeve në fushën e Shkodrës. Të gjitha këto janë të lidhura në një zinxhir të njëpasnjëshëm me emergjencat civile, të cilat duhet të përgatiten për të gjithë problematikat që mund të vijnë nga prurjet e tepërta të cilat shkarkohen në kaskadën e Drinit apo dhe në kaskada të tjera.

Sot sfida më e madhe qëndron në sistemin ekologjik. Në të gjithë ciklin natyror ekologjik i cili ndjeshëm ka ndryshuar. Ky është viti i dytë me prurje të larta në kaskadën e Drinit dhe po e them këtë pasi ne kemi pasur një praktikë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, kishim dy vite të thata dhe një vit të lagësht mesatarisht, ndërkohë që ka ndryshuar plotësisht panorama klimaterike e Shqipërisë dhe jo vetëm e Shqipërisë. Sot jemi duke u përballur me fenomene të tjera natyrorë të cilat e bëjnë akoma më sfiduese mbrojtjen, rehabilitimin dhe përdorimin e digave.

Sot duhet një mendje e hapur. Sot duhen marrë praktikat më të mira europiane dhe ndërkombëtare përsa i përket trajtimit të digave bazuar në të gjitha të dhënat e reja klimaterike të cilat po mblidhen kudo nëpër botë pasi po ndodhin fenomene të paparashikuara dhe në lokacione të paparashikuara dhe të pandodhura më parë.

Dua të falënderoj Presidentin e CFBR, zotin Aelbrecht, në fjalimin e tij dëgjova një nga strategjitë e Qeverisë Shqiptare që padyshim është shqetësim dhe për Europën. Tek unë takoj anëtarët e KKDM, tek flas me ekspertët që kam në ministri, dua, pa dashur që të prek askënd sepse edhe vetë e kam një moshë të thyer, që ekspertët tanë nuk po prodhojnë breza të rinj. Stafeta është për mua si profesioniste dhe besoj se për secilin nga ju këtu, është një detyrë shumë e rëndësishme. Lënia e stafetës tek ekspertët e rinj. Në rast se vazhdojmë dhe e mbajmë dijen brenda të njëjtit grupim. Në rast se vazhdojmë dhe nuk i hapim dyert për të rinjtë dhe të rejat me idenë që ata nuk dinë sa ne, do të ishte gabimi më i madh që do të ndodhte në çdo sektor, por sidomos në sektorin e digave ku identifikoj me shumë shqetësim që nuk kemi prurje të reja. Nëse nuk kemi prurje të reja pasi të rinjtë nuk kanë interes që të studiojnë në fushat e lidhura më çështjet e digave dhe të dampave atëherë ky është një problem që duhet zgjidhur nga Qeveria, Ministria e Arsimit nga institucionet sektoriale përmes incentivave, por në rast se nuk kemi të rinj dhe të reja që futen në këtë sektor kaq të rëndësishëm, pasi ata që janë aty prej vitesh nuk i konsiderojnë të aftë për ti pasur kolegë, kjo është diçka shumë e rrezikshme e cila duhet të ndryshojë menjëherë.

Për mua është kënaqësi kur gjej një profesionist të ri i cili ka dëshirën për t’u përfshirë, i cili ka guximin për t’u përfshirë dhe padyshim ka adrenalinën më të lartë se të gjithë ne që koha, duam apo nuk duam, na krijon erozion. Gabimi më i madh është të mbash dyert mbyllur për të rinjtë dhe të rejat e guximshëm dhe të thuash ata nuk janë të aftë si ne. Kthehuni mbrapa në kohë. Kthehuni në kohë, 30, 40 vjet disa prej jush, 25 disa prej nesh, si ishit kur erdhët në fillim? Përveç dëshirës për të kontribuar ishit njësoj të aftë siç jeni sot? Aftësia shkon me orë pune të dashur. Aftësia patjetër do një pjesë karakteriale, do një zgjuarsi gjenetike të lindur, por unë njoh njerëz të cilët ndoshta nuk kanë qenë shumë ekselent në nivelin e zgjuarsisë, por kanë qenë të vullnetshëm, të disiplinuar dhe janë bërë dikushi sot.

Ndaj Arjani foli qartë, pastër dhe saktë, por unë do ti kërkoja Arjanit dhe të gjithë anëtarëve të KKDM është kollaj ti identifikosh problematikat dhe ti lesh në mes të sallës, por është shumë e rëndësishme të bëhemi të gjithë bashkë për ti zgjidhur. Dhe është fat sot për ne që kemi bashkëpunime të shkëlqyera me institucionet ndërkombëtare, me institucione europiane që kanë eksperiencë të vyer në këtë fushë, por dhe ne nuk jemi pa gjë.  Ky është ai populli i vogël që ka ngritur kaskadën e Drinit. Ky është ai vend ku vazhdojnë dhe ndërtohen hidrocentrale si ato të Moglicës. Ky është ai vend ku eksperimentohen projekte inovatore, siç janë pumping system që kemi dy të tilla në Republikën e Shqipërisë në ngjizje e sipër, një në kaskadën e Devollit dhe një në kaskadën e Drinit. Ne jemi ata që jemi pak, por që dimë të bëjmë shumë punë. Ne jemi ata që i kemi bërë ato diga në kushte më të vështira në kohë të komunizmit. Imagjino se çfarë mund të bëjmë sot me teknologjinë, me dëshirën e mirë dhe me të gjithë vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të ndryshuar katërciprisht këtë vend.

Unë ju falënderoj sot shumë që jeni të gjithë këtu do qëndroja me shumë dëshirë pasi siç ju thashë është një sektor që kam 6 vite që kam hyrë thellë dhe është kthyer në pasion dhe jo thjesht në punë, por sot është ditë parlamentare dhe unë kam edhe detyra të tjera ku duhet të përfaqësoj Qeverinë në parlament, por edhe të gjithë votuesit.

Shumë faleminderit dhe ju uroj një ditë shumë të suksesshme dhe të frytshme mbi të gjitha.

Faleminderit shumë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese