
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan së bashku me kryeministrin Edi Rama kanë zhvilluar një konferencë për shtyp.
Pas fjalës së Erdogan, ishte kryeministri Edi Rama i cili zbuloi më tepër detaje lidhur me takimin e mbajtur “kokë më kokë” me presidentin e Turqisë. Teksa e falenderoi për të gjitha të mirat që ka bërë për popullin shqiptar, Rama theksoi se një ndër marrëveshjet e firmosura mesditën e kësaj të enjte ishte dhe ajo e Hapjes së Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri.
Teksa vendosi në vëmendje rritjen e numrit të qytetarëve turq të cilët vizitojnë vendin tonë, kryeministri Edi Rama zbuloi dhe një tjetër dhuratë bujare të Turqisë. Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se Erdogan i ka dhuruar ushtrisë së Republikës së Shqipërisë disa dronë kamikazë duke transmetuar kështu edhe një mesazh të qartë.
“E thashë në hapje të mbledhjes së këshillit dhe e përsëris unë e çmoj dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë për ti dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë, për ti dhënë ushtrisë një numër dronësh kamikazë. Besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie që Shqipëria është e pa goditshme”, tha Rama ndër të tjera.
Pjesë nga fjala e kryeministrit:
Së pari, dua të përsëris edhe njëherë, për të disatën herë qysh kur presidenti ka ngjitur shkallët e kësaj godine, falënderimet dhe shprehjen më të sinqertë të mirënjohjes për vizitën sot në Tiranë, së bashku me një pjesë të konsiderueshme të ekipit të tij qeveritar. Ejvallah!
Jam vërtetë shumë i kënaqur që zhvilluam takimin e dytë të Këshillit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit ku jo vetëm konfirmuam vendosmërinë për ta forcuar më tej karakterin strategjik të këtij bashkëpunimi por edhe mundën të vlerësojmë zbatimin konkret të marrëveshjeve të bëra si edhe potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj marrëdhënieje.
Presidenti i Republikës së Turqisë e përsërit sa herë takohemi dhe me shumë të drejtë që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk e pasqyron ashtu siç duhet potencialin mes dy vendeve dhe sikundër e dëgjuat dhe nga ai vetë, ambicia jonë është që sa më shpejt ne të arrijmë tavanin e 2 miliardë eurove për të çelur pastaj një fazë të dytë me edhe më shumë zhvillim të këtyre shkëmbimeve.
Nga ana tjetër, ndava me Presidentin kënaqësinë që në tërësinë e zhvillimit shumë inkurajues të turizmit në vendin tonë, numri i qytetarëve turq që kanë vizituar Shqipërinë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti është rritur me 85% dhe nga ana tjetër, duke parë interesimin në rritje të përditshme të agjencive dhe të operatorëve turistikë të vendit mik, ne jemi besimplotë që vitin e ardhshëm, numri i qytetarëve turk që do të vizitojnë Shqipërisë do të jetë ende më mbresëlënës.
Në këtë aspekt, presidenti ritheksoi dhe patjetër që ramë plotësisht dakord që duhet të bëhet më shumë për investime të drejtpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit ku e dimë të gjithë dhe falë, në radhë të parë, të zotërisë në krahun tim, Turqia ka bërë një transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mirëpret miliona e miliona turistë, por ka një kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer.
Nga ana tjetër, sot ne firmosëm disa marrëveshje, të gjitha të rëndësishme, por më e rëndësishmja dhe më e mirëpritura dhe pak si e shumëpritura nga ana jonë ishte firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme në disa aspekte dhe patjetër që është diçka që do të sjellë një hapësirë të re studimesh të larta të nivelit të lartë botëror pasi Universiteti Teknik i Stambollit është i kuotuar ndër universitetet më të mira të botës, por dhe për një arsye tjetër, sepse është hera e parë në praktikën e Republikës së Turqisë që bën diçka të tillë dhe kjo thjesht dhe vetëm për përkushtimin e presidentit Erdogan ndaj kësaj marrëdhënieje vëllazëror dhe prandaj dua që ta falënderoj specifikisht për këtë marrëveshje të nënshkruar sot dhe uroj dhe dua të besoj që edhe në implementim, njerëzit që do të merren me zbatimin e marrëveshjes do të kenë, të paktën, gjysmën e energjisë dhe të këmbënguljes të presidentit sepse t’i kërkosh që ta kenë të tërën është diçka që është jo realiste.
Nga ana tjetër, ne jemi shumë të interesuar dhe patjetër edhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë.
E thashë në hapje të mbledhjes së Këshillit dhe e përsëris që unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim, të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë.
Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme.
Sigurisht që Ukraina është një temë qendrore e të gjitha diskutimeve që bëhen në këto nivele kudo, por është një temë qendrore e çdo bisede që unë kam pasur me presidentin e Republikës së Turqisë dhe po ashtu sot, përveç konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë që po godet, në mënyrë të pamëshirshme dhe tërësisht të padrejtë, një popull që është në të drejtën e vet për të jetuar i lirë dhe për ta zgjedhur vetë se ku do të pozicionohet, edhe ajo që ndodh përditë në Gaza është një tragjedi me proporcione kolosale.
Ne bashkë-ndajmë me presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij, por në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm sepse duke qenë tërësisht të vendosur, bashkë me Republikën e Turqisë dhe me shumë të tjerë, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorizmit, kundër terrorit, për ne terrori, në çdo formë dhe me çdo pamje që të shfaqet është i pa tolerueshëm.
Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar në mënyrë të përsëritur në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim që patjetër duhet të nënkuptojë dhe lirimin e menjëhershëm të gjitha pengjeve, por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe nga ana tjetër, askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre.
Pas kësaj vizite dhe këtij momenti kaq të rëndësishëm, të cilit i shtohet si një vlerë e madhe edhe hapja e xhamisë të madhe të Namazgjasë, presidenti do të niset për Beograd dhe e sjell këtë në vëmendje për t’ju kujtuar të gjithëve një fakt historik. Republika e Turqisë, kur presidenti Erdoğan ishte kryeministër, e ka njohur Kosovën e para, por nuk ka qenë një njohje e Kosovës e para thjesht zyrtare dhe diplomatike; ka qenë një njohje e Republikës së Kosovës në kohë reale në sinkron me punimet e Parlamentit të Kosovës dhe në momentin kur në televizor, përpara të cilit ishte mbledhur gjithë qeveria me atëherë kryeministër dhe sot president, deputetët e Kosovës kanë ngritur dorën për të miratuar pavarësinë, qeveria e Republikës së Turqisë ka njohur Kosovën. Pra, një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, Republika e Kosovës nuk e gjen dot as gjëkundi.
Ne ndajmë shqetësimin që situata mes të dyja shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë dhe e them këtë përpara një personaliteti që dialogun e ka pasur dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë.
Zoti president, nuk dua të zgjatem më tutje. Dua edhe njëherë t’ju falënderoj dhe t’ju siguroj që pjesa e mërzitshme e ditës mbaroi dhe fillon një pjesë tjetër, ku jam i bindur që për ju do të jetë një gëzim i posaçëm sepse jo vetëm ishit zëri i Komunitetit të besimtarëve Myslimanë Shqiptarë, përpara Komunitetit Mysliman Turk duke garantuar mbledhjen e mjeteve për ndërtimin e xhamisë së madhe, por keni qenë, në çdo rast kur jemi takuar, shumë i vëmendshëm dhe këmbëngulës për të parë këtë ditë sot.
Jam i bindur që ju në Turqi keni xhami shumë të bukura, por ajo xhami që do të shihni sot do të hyjë në koleksionin e xhamive më të bukura të ndërtuara në kohët moderne dhe pa diskutim që kjo është, në radhë të parë, merita juaj sepse e kujtoj shumë mirë, jemi takuar për herë të parë dhe në fund të takimit kur unë erdha kryeministër i sapo zgjedhur në Shqipëri, ju bëtë atë dorën kështu nga dera dhe erdhi projekti dhe më thatë: “Ky është projekti i vëllazërisë shqiptaro-turke”.
Unë kisha vërejtje për projektin dhe ju më thatë: “Projektin po ta lë ty sesi do të duket. Xhaminë dua të vij ta hap me ty”. E pas pak unë do t’ju shoqëroj me shumë kënaqësi dhe shumë i nderuar sepse të gjitha ikin, por shtëpitë e besimit mbeten edhe kur emrat tanë, përveç tuajit, të harrohen.