Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

“Shqipëria e vogël po i thotë JO oligarkisë botërore”, senatori Bernie Sanders i bën jehonë protestave, Rama i replikon: Mos bini pre e dezinformimit

Shkruar nga Newsbomb
“Shqipëria e vogël po i thotë JO oligarkisë
Kryeministri Edi Rama dhe senatori Bernie Sanders

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me senatorin e njohur amerikan Bernie Sanders, i cili në një postim në rrjetin social “X”, ka komentuar protestat që po mbahen në vendin tonë kundër projektit të Zvërnecit.

Sanders shkruan se mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz dhe se shqiptarët po i thonë jo oligarkisë botërore.

Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz katastrofik për mjedisin, të planifikuar nga dhëndri i Trump, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Ja se si duket oligarkia globale - dhe njerëzit po thonë JO.”, shkruante senatori Sanders.

Pas këtij postimi, ka reaguar kryeministri Rama, i cili shkruan se ende nuk ka projekt dhe nëse do të ketë një të tillë, do të jetë sipas ligjeve të vendit tonë. Ndërsa më tej, kreu i qeverisë shkruan se vendi ynë nuk mund të bëhet objekt për politikën e ditës në SHBA.

Ajo për të cilën nuk kemi nevojë është indinjata e importuar, reflekset ideologjike apo shndërrimi i Shqipërisë në një instrument politik të dikujt tjetër”, thekson ai.

Ndërsa në fund, kryeministri e ka ftuar senatorin që të vizitojë vendin tonë dhe të mos bjerë pjesë e dezinformimit.

Reagimi  i plotë:

Me gjithë respektin, Senator, Shqipëria është një shtet, jo një rresht në një debat politik amerikan.

E vlerësoj sinqerisht interesimin tuaj, por faktet në terren janë disi ndryshe nga titujt e lajmeve. Dhe kur titujt bëhen burimi kryesor i të kuptuarit, gjysmë të vërtetat kanë prirjen të shndërrohen dita-ditës në gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha, të amplifikuara pikërisht nga platformat, për fuqinë deformuese të të cilave ju vetë keni kaluar kaq shumë kohë duke ngritur ndërgjegjësimin publik.

(Fakti që më pak se 10 mijë protestues në postimin tuaj u bënë disi 100 mijë është ndoshta amplifikimi më pak i dëmshëm i indinjatës, ndër shumë të tjera.)

Ende nuk ka asnjë projekt të miratuar, asnjë leje ndërtimi dhe asnjë projekt përfundimtar. Ajo që ekziston sot është një proces planifikimi ku janë përfshirë disa nga arkitektët, projektuesit e peizazhit, ekspertët mjedisorë dhe konsulentët e ndikimit social më të njohur në botë, të cilët po punojnë mbi një vizion për turizëm elitar të qëndrueshëm, me përfitime të matshme mjedisore, më shumë hapësira të gjelbra, më shumë pemë dhe rezultate më të forta për biodiversitetin.

Mospajtimi është legjitim.
Vëzhgimi dhe shqyrtimi mjedisor janë të mirëpritura.
Kështu duhet të funksionojnë demokracitë.

Por të shpallësh diçka si katastrofë mjedisore përpara se ajo të ekzistojë, është diçka krejt tjetër.

Ajo që do të ngrihet në bregdetin e Shqipërisë do të përcaktohet nga vizioni ynë, ligjet tona, institucionet tona dhe do të debatohet nga vetë qytetarët tanë. Por ajo nuk do të bëhet kurrë peng i frikës për të ëndërruar më shumë, për të menduar më shumë dhe për të investuar më shumë.

Sfida jonë nuk është të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit, por të provojmë se natyra mund të rigjenerohet dhe zhvillimi mund të rishpikët duke ndërtuar me natyrën dhe jo kundër saj, në dobi si të njerëzve, ashtu edhe të mjedisit.

Ne mirëpresim investitorë seriozë që vijnë për të ndërtuar, për të krijuar vende pune, për të rritur standardin e jetesës dhe për të respektuar rregullat tona. Ajo për të cilën nuk kemi nevojë është indinjata e importuar, reflekset ideologjike apo shndërrimi i Shqipërisë në një instrument politik të dikujt tjetër.

Faktet të parat. Gjithmonë.
Sepse Shqipëria nuk është një sfond për betejat politike të huaja.

Është një vend i vogël, por krenar dhe i lirë, që po bën zgjedhjet e veta dhe po përcakton vetë të ardhmen e tij.

Dhe me gjithë sa u tha më sipër, shpresoj që ta kujtoni Shqipërinë edhe pasi titujt e lajmeve të kenë kaluar. Madje, shpresoj të vini vetë e ta shihni vendin tonë të bukur, i cili po përballet me sfidën historike për t’u bërë së shpejti një anëtar krenar i Bashkimit Europian, ku asnjë projekt që prek natyrën nuk mund të ecë përpara pa përmbushur disa nga standardet, vlerësimet dhe kërkesat ligjore mjedisore më të rrepta në botën demokratike.

Pikërisht për këtë arsye duhet t’u besojmë më shumë fakteve, institucioneve dhe procesit të rregullt ligjor sesa titujve, supozimeve dhe indinjatës virale.

Dhe ndoshta, duke qenë se ju keni kaluar kaq shumë vite duke paralajmëruar për rreziqet e dezinformimit, mund ta vlerësoni faktin që realiteti meriton të paktën të njëjtën mundësi për t’u dëgjuar si historitë që tregohen për të.

Më lejoni të them se e gjithë kjo është një arsye e mirë për t’ju ftuar të jeni mysafiri ynë në Shqipëri, ku, ashtu siç është gdhendur në Kodin e lashtë shqiptar të Nderit, shtëpitë tona i përkasin Zotit dhe Mikut.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese