
Bashkimi Europian do të mbajë ditën e nesërme, 22 maj, Konferencën e Pestë Ndërqeveritare me Shqipërinë. Ky takim do të shërbejë për hapjen e bisedimeve për 8-të kapitujt e rinj të Grupit të 3-të. Këto kapituj përfshijnë politikën ekonomike, punësim, tatimet, arsimin dhe kulturën, bashkimin doganor si dhe median e transformimin digjital.
Shqipëria do të përfaqësohet në këtë Konferencë nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe ministrja për administratën publike Adea Pirdeni.
Deri tani janë hapur negociatat gjithsej për 27 fusha (kapituj dhe kritere) në vetëm tetë muaj, pas hapjes me sukses të Grupimit 1 (Themeloret) më 15 tetor 2024, Grupimit 6 (Marrëdhëniet me Jashtë) më 17 Dhjetor 2024, si dhe Grupimit 2 (Tregu i Brendshëm) më 14 Prill 2025. Ky ritëm i përshpejtuar i çeljes së negociatave reflekton si përkushtimin e Shqipërisë ndaj reformave, ashtu edhe theksin e ripërtërirë të BE-së mbi zgjerimin si një prioritet strategjik.
Përfundimi me sukses i këtyre negociatave pritet të sjellë përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve shqiptarë, si shërbime publike më të thjeshta dhe transparente, politika tatimore më të drejta të prirura për t'u bërë pjesë e tregut të vetëm të BE-së, mbrojtje më të forta për punëtorët dhe vende pune më të sigurta. Kjo krijon mundësi për bizneset shqiptare që të rriten dhe të përgatiten për të konkurruar për më shumë mundësi në tregjet evropiane, dhe në të njëjtën kohë të rrisë normat e rritjes së Shqipërisë duke e transformuar këtë rritje në më shumë mirëqenie dhe kushte më të mira jetese, ndërkohë që u jep të rinjve akses më të madh në arsimin, bursat, mundësitë e kërkimit dhe programet e trajnimit të BE-së.
Ky vendim e çon Shqipërinë më pranë realizimit të vizionit të Shqipërisë 2030, ku përfitimet dhe rezultatet e integrimit në BE mund të aplikohen direkt në jetën e përditshme, me shërbime më të mira, me më shumë mundësi mirëqënie dhe me një vend më të fortë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë. Ky vendim paralelisht nënvizon angazhimin e BE-së për një proces zgjerimi të bazuar mbi merita, që shpërblen reformat dhe përparimin e konfirmuar.