Hapësire reklamuese

Politikë

Shqetësimi i ISP-së për Komisionin Anti-Korrupsion, Tabaku e mbështet: Dublon Këshillin e Integrimit dhe i merr stafin

Shkruar nga Newsbomb
Shqetësimi i ISP-së për Komisionin Anti-Korrupsion, Tabaku e
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar ditën e sotme pas deklaratës së Institutit të Studimeve Politike se ngritja e Komisionit Anti-korrupsion përbën një zhvillim shqetësues në lidhje me aksesin e gjerë dhe rolin politik udhëheqës që i jepet Kuvendit ndaj institucioneve të pavarura dhe kushtetuese.

“Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se vendimi nr. 50/2024 i Kuvendit për «Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” përbën një zhvillim pozitiv në aspektin e nevojës për një rol më aktiv të Kuvendit në jetësimin e reformave, si dhe në nevojën e rishikimit të problematikeve për jetësimin e standardeve të shtetit të së drejtës, por njëkohësisht përbën një zhvillim shqetësues në lidhje me aksesin e gjerë dhe rolit politik udhëheqës që i jepet Kuvendit ndaj institucioneve të pavarura dhe kushtetuese”,- thuhet në deklaratën e ISP-së.

Nëpërmjët një postimi në rrjetin social X, Tabaku shprehet se shqetësimet e ngritura nga instituti i ISP-së për këtë Komision janë të drejta dhe një sinjal alarmi për drejtësinë, ndërsa shton se dublimi i Këshillit Kombëtar të Integrimit duke i marrë stafin nuk është dialog dhe as gjithëpërfshirje.

“Të ngresh një institucion që dublon Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe që i merr sekretariatin dhe stafin e atashuar për #KKIE nuk është dialog dhe as gjithëpërfshirje aq më pak kërkesë për një të tillë. Por kjo është më e pakta pasi shqetësimet e drejta që ka ngritur instituti i ISP-së në lidhje me këtë komision, janë sinjal alarmi .

Procesi i integrimit dhe lufta kundër korrupsionit nuk kanë nevojë as për propagandë dhe as për fjalë të mëdha. Por për angazhim që fatkeqësisht ka munguar e që mund të ishin bërë çdo ditë për 11 vite dhe duhen bërë çdo ditë që kalon”,- shprehet deputetja Jorida Tabaku.

Për deputeten e PD-së, Jorida Tabaku ngritja e grupeve të përbashkëta të punë me institucione që duhet të jenë të pavarura, cenon drejpërsëdrejti pavarësinë e tyre, si dhe ngushton rolin e opozitës në parlament. Sipas Tabakut, procesi i integrimit dhe lufta kundër korrupsionit nuk ka nevojë për propagandë por për angazhim konkret.

Ngritja e grupeve të përbashkëta të punës me institucione që janë e duhet të jenë të pavarura, nën varësinë e këtij komisioni, që është më shumë një partiak, cënon pavarësinë e institucioneve të pavarura. Dublon pa kuptim funksionet që kryejnë komisionet parlamentare dhe cënon e ngushton rolin e opozitës në parlament duke dubluar tërësisht komisionet dhe Këshillat që drejton opozita.

Nëse duam realisht integrimin na duhet që të punojmë çdo ditë dhe mbi të gjitha kemi vullnet.  Mazhoranca ka vite këndon këngën e gjinkallës, nuk ecën dot as me hapin e milingonës për këtë proces”, -shkruan Jorida Tabaku në rrjetin social X.

Kujtojmë që pak më herët, Komisioni Anti-Korrupsion me drejtues Fatmir Xhafaj zhvilloi mbledhjen e dytë paraditen e sotme, ndërsa opozita bojkotoi pjesëmarrjen.

Xhafaj u shpreh se ndihet i keqardhur që opozita nuk është bërë pjesë e aktivitetit normal të këtij Komisioni , ndërsa shtoi se pjesëmarrja e tyre është e rëndësishme dhe se shpreson që deputetët e PD-së të reflektojnë në lidhje me këtë vendim.

“Të keqardhur që ende opozita nuk po bëhet pjesë e aktivitetit normal të komisionit. Është me rëndësi që opozita të marrë pjesë në Komision, shpresoj që të reflektojë dhe të marrë pjesë. Procesi është gjithëpërfshirës, transparent dhe profesional me produkte të qarta e të dobishme. Kemi ftuar dhe aktorë të tretë të marrin pjesë në këtë Komision”,- tha kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese