
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një deklarate për mediat ka shpalosur dhe programin e forcës politike që ai drejton, ku në fokus do të jetë ndihma për familjarët.
Berisha deklaroi se do të jepen bonuse për dy fëmijët e parë të një familje, ndërsa për fëmijën e tretë shpenzimet do t’i marrë përsipër qeveria deri në moshën 23-vjeç5are.
“Mbështetja e çifteve të reja dhe e familjeve të reja do të jetë një detyrim ligjor për qeverinë e ardhshme. Ky detyrim ligjor do të përfshijë kushtet të favorshme për strehimin e tyre. Qeveria për ti dhënë një përgjigje serioze strehimit dhe në një betejë kundër çmimeve stratosferike do të ndërmarrë ndërtimin e banesave sociale që do të zbresin çmimin e ndërtimit në vlerat e përafërta me kostot dhe fitimin e parashikuar. Qeveria do bëjë çdo gjë për punësimin e të rinjve.
Mbështetje për fëmijët është një kusht i rëndësishëm për një familje të re që të mund të përballojë jetën. Do vendoset bonus për çdo fëmijë dhe për fëmijën e tretë qeveria do marrë shpenzimet e tij nga lindja deri në moshën 23 vjeçare. Për dy fëmijë do ketë bonus që do përcaktohet shpejt sa do jetë, ndërsa për fëmijën e tretë shpenzimet e plota do ti marrë përsipër shteti”, tha nder te tjera Berisha.
Teksa më tej vijoi duke thënë se dyfishimi i buxhetit për arsimin dhe transformimi i sistemit aktual është dhe një nga objektivat e Partisë Demokratike.
Lideri i të djathtëve u shpreh se këto fonde fillimisht do të shkojnë për mësuesit dhe rrogat e tyre dhe më pas të gjitha kushteve që nxënësit të mund të përvetësojnë dijet.
“Shqetësim shumë i drejtë dhe ne do e konsiderojmë shumë seriozisht, sugjerimin dhe shqetësimin tuaj. Ne kemi ndërmend që të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Në këtë kuadër këto fonde do ti përkushtohen në radhë të parë mësuesit dhe rrogave të tyre dhe pastaj të gjitha kushteve që nxënësit të mund të përvetësojë dijet.
Çështja që ju shtroni është e drejtë, por më pas duhet të shihet çështja e ushqimit, që të marrë dhe ajo një përgjigje. Por transformimi i sistemit aktual arsimor, është një objektiv i pandryshueshëm i yni”, tha Berisha.