
Shoqata e Autonomisë Vendore, e cila deri më tani ka përfaqësuar ekskluzivisht bashkitë e drejtuara nga shumica, ka ndryshuar emrin e saj në "Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë" në janar 2025. Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta nga Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë.
Në një deklaratë publike, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë ka denoncuar këtë ndryshim, duke e konsideruar një përpjekje për të krijuar një perceptim të rremë të përfaqësimit të pushtetit vendor në Shqipëri. Sipas kësaj shoqate, ndryshimi nuk reflekton realitetin e përfaqësimit të të gjitha bashkive, por vijon të favorizojë vetëm një forcë politike.
"Bashkitë e opozitës dhe të zgjedhurit tanë në 61 bashki nuk janë dhe nuk do të bëhen pjesë e kësaj shoqate, e cila drejtohet nga Erion Veliaj," thuhet në deklaratë.
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë e konsideron këtë një përpjekje për të manipuluar publikun dhe partnerët ndërkombëtarë, duke krijuar një fasadë përfshirjeje që në realitet nuk ekziston. Po ashtu, ka kërkuar nga donatorët ndërkombëtarë të sigurohen që fondet e tyre të mos favorizojnë një strukturë të njëanshme.
Reagimi i plotë:
Të nderuar partnerë,
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me përpjekjet për të krijuar një perceptim të rremë mbi përfaqësimin e bashkive në Shqipëri.
Dëshirojmë të informojmë publikun dhe partnerët ndërkombëtarë se Shoqata e Autonomisë Vendore, e cila deri më tani ka përfaqësuar ekskluzivisht bashkitë e drejtuara nga shumica, ka ndryshuar emrin e saj në “Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë” (janar 2025), përmes një vendimi unilateral dhe pa konsensus.
Ky veprim përbën një përpjekje për të krijuar idenë e një organizate unifikuese, ndërkohë që në fakt vijon të përfaqësojë vetëm një forcë politike. Bashkitë e opozitës dhe të zgjedhurit tanë në 61 bashki nuk janë dhe nuk do të bëhen pjesë e kësaj shoqate, e cila drejtohet nga Erion Veliaj.
Kjo manovër është:
* Një përpjekje për të manipuluar publikun dhe komunitetin ndërkombëtar, duke krijuar një fasadë përfshirjeje që në realitet nuk ekziston.
* Një përpjekje për të përqendruar burimet dhe mbështetjen ndërkombëtare vetëm tek një shoqatë ose një grup bashkish, në dëm të një përfaqësimi të balancuar dhe të drejtë.
Ftojmë median dhe partnerët ndërkombëtarë të tregohen të vëmendshëm dhe të kërkojnë transparencë në përfaqësimin e bashkive shqiptare.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizatave dhe donatorëve ndërkombëtarë të mos bien pre e këtij manipulimi dhe të sigurojnë që fondet e tyre të mos përdoren për të favorizuar një strukturë të njëanshme.
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë mbetet e përkushtuar ndaj një qeverisjeje vendore transparente, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, ku çdo bashki ka një zë të barabartë.