Gjykata e Apelit vendosi këtë të martë që vula e Partisë Demokratike të kalonte në duart e ish-kryeministrit Sali Berisha. Menjëherë pas këtij vendimi të shumta kanë qenë reagimet. E teksa ish-kryeministri Sali Berisha po feston në shtëpi pasi ndodhet në arrest shtëpie, dhjetëra mbështetës të tij janë mbledhur në ambientet e selisë blu ku po festojnë me këngë e valle.
Ndërkohë, të shumta kanë qenë reagimet edhe nga politikanët. “Shkoi haka te i zoti”, kështu e kanë komentuar demokratët vendimin e marrë sot nga Apeli sa i përket vulës së Partisë Demokratike.
Deputeti demokrat, Saimir Korreshi tha se tanimë nuk ka më hallakatje dhe se ka mbaruar saga “zyrtare dhe jo zyrtare”.
“Te paktën nuk ka më hallaktje. Të gjithë demokratët e dinë ku është shtëpia e tyre. Mbaroi saga, zyrtare dhe jo zyrtare.Gjykata me vendimin e sotëm, e vendosi vulën përfundimisht” \, tha Korreshi.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe deputeti Tritan Shehu. Përmes një postimi në “ Facebook”, Shehu e ka cilësuar si një betejë të fituar përballë regjimit.
“Nje beteje e fituar perballe rregjimit!Nje rrugetim, qe filloi me 9 Shtator 2021 ne darke e u kthye me “shperthim” ne ate Stadium me demokrate. Nje beteje qe ka etapen e radhes lirimin e te burgosurit politik, Sali Berisha.E me tej rrezimin e rregjimit narko-trafikant e vendosjen e vlerave, demokracise, Europeizmit. Urimet me te mira, te gjithe mbeshtetjen, liderit tone Sali Berisha.Urime te gjithe demokrateve”, shkruan Shehu.
Ndërkohë, Lefter Maliqi ka shkruar se vula që “ Gjykata e Apelit” i dha sot Sali Berishës sjell fitore dhe rrotacion politik si domosdoshmëri për të ardhmen e vendit.
“Ditë Historike për vendin! Urime! Fitore! Vula që “Gjykata e Apelit” i dha sot me drejtësi Liderit Berisha sjell fitore dhe rrotacion politik si domosdoshmëri për të ardhmen e vendit! S’ka nevojë për vetkënaqësi, por për punë të palodhur në bazë dhe frymë deri në rrezimin e Regjimit monist dhe Narkoshtetit. Liri Demokraci! Fitore!”, shkruan Maliqi.
Drejtori i Komunikimit në PD, Alfred Lela, për “ Euronews” tha se ky është nëj vendim i mirë për të gjithë shqiptarët.
“Lajm i mirë për shqiptarët, kthim në legalitet dhe normalite. Shkoi haka te i zoti. Edhe kundërshtarët politikë të PD duhet të jenë të gëzuar për legjitimitetin juridik të opozitës. Me këtë vendim i bie që drejtësia bën drejtësi kur do, kur sheh dhe kur e ka vullnetin. Nuk pashë ndonjë hije dyshimi, nuk ka asnjë kleçkë që mund ta pengojë këtë festë.
Nuk e di çfarë ndodh me pjesën tjetër, sepse udhëtimi i tyre ka qenë i helmatisur, pengues për PD. PD duhet të shohë nga e ardhmja. PD është e cunguar ende. Legaliteti duhet të kthehet i plotë, për lirimin nga burgimi të kryetarit Berisha, i cili është i burgosur politik”, tha Lela.
Gjithashtu lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe deputeti demokrat, Ervin Salianji. Përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se Partia Demokratike është pronë e anëtarëve dhe se vullneti i simpatizantëve triumfoi.
“Partia Demokratike është pronë e anëtarëve, vullneti i tyre triumfoi! Ishim, jemi dhe do të jemi Partia Demokratike e Shqipërisë”, shkruan Salianji.
Nga ana tjetër, deputeti Edomnd Spako tha se pas këtij vendimi në Partinë Demokratike nuk ka më vend për Lulzim Bashën.
“Ka shkuar atje ku duhet të shkonte, 3 vjet përpjekje intensive vërtetuan atë që kemi thënë që në dhjetor 2021, anëtarësia përcakton se cili është kryetari i partisë dhe kujt i takon vula. As nuk e mendoj që Basha mund të jetë pjesë e PD pas gjithë këtyre vuajtje që u shkaktoi demokratëve. As nuk duhet ta mendojë që mund të rikthehet në PD, sepse është shkaktari i vështirësive më të mëdha që ka hequr kjo forcë politike.
Mos të guxojë të mendoje së mund tu ofrojë dorën demokratëve dhe mund të gjejë vend në këtë forcë politike. Sa i takon anëtarëve dhe simpatizantëve të tjerët të cilët për arsye të ndryshme nuk janë radhitur me Rithemelimin janë të mirëpritur të vijnë dhe të japin kontributin e tyre, sikur e kanë dhënë më përpara. Edhe për deputetët e tjerë që janë rreshtuar krah Bashës, dera është e hapur. Të vijnë në PD”, tha Spaho.