
Ditën e sotme ishte planifikuar të mbahej seanca gjyqësore për ligjin e Akademisë së Shkencave. Por, administrata e gjykatës njoftoi se seanca nuk do të mbahej për shkak se mungonte një gjyqtar edhe pse përfaqësuesit e Partisë Demokratike ishin të pranishëm në këtë seancë. Shtyrja e seancës ka shkaktuar vonesa në shqyrtimin e çështjes, ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka vendosur se seanca e ardhme do te zhvillohet në datën 28 janar ora 10:00.
Ina Zhupa ka folur me gazetarët jashtë ambientit të gjykatës e cila shprehet se ky ligj u miratua vetëm për të favorizuar Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave, ndërsa shprehet se kjo është në shkelje të Kushtetutës. Sipas saj ligji për Akademinë e Shkencave nuk garanton barazinë e tyre përpara ligjit.
Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar nga PD marrjen në shqyrtim kërkesën për shpalljen papajtueshëm me Kushtetutën të zgjedhjes dhe mandatit të Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.
Ajo shprehet:
“Ajo që na u la, seanca e radhës më 28 janar në orën 10 në Gjykata Kushtetuese. Uroj që të jetë kuorumi me të 8 anëtarët. Sot ishim përgatitur për të bërë parashtrimet tona. Kishim të gjitha provat shkresore, e-mail që janë shkëmbyer gjatë proceduarve në Kuvend. Ligji është anti kushtetues. Në substancë. Shkel themelin e kushtetutës. Gjithë akademikët janë të barabartë para ligjit. Risia që krijonte ky ligj, të gjithë 75-vjeçarët ktheheshin në akademikë emeritus që nuk drejtojnë dot, nuk mbikëqyrin dot. Por vetëm njëri prej tyre mund të jetë kryetar dhe ky është Gjinushi, që drejton, firmos, mbikëqyr. Të gjitha kafshët janë të barabartë por disa janë më të barabarta se të tjerët.
Kjo figurë dihet për njohjet e veta politike. Çdo mbledhje e komisioneve e seancës plenare apo çdo procedurë jo sipas rregullores është nul. Procedurat për këtë ligji janë në shkelje. Relacioni në presidencë ka qenë pa firmat e relatorëve, jo sipas rregullores. Do e vazhdojmë betejën. Nuk lidhet me emrin e një personi. E keni parë si Rama kërkon të kapi çdo institucion, nuk do rotacion në asnjë institucion. Duan të kapin dhe Akademinë e Shkencave me njerëz politikë. Është në interesin e publikut që Akademia e Shkencave të jetë e pavarur, çdo akademikë të jetë i barabartë para ligjit".
Rikujtojmë se Skënder Gjinushi është rizgjedhur si kryetar i Akademisë së Shkencave, duke marrë 51 vota pro dhe dy kundër, për vijuar edhe një mandat tjetër në krye të Akademisë së Shkencave.
Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimi Publik miratoi projektligjin për Akademinë e Shkencave, përmes të cilit kryetarit i lejohet një mandat i dytë dhe i hiqet kufizimi i moshës 75 vjeç, duke i hapur rrugë rikandidimit të Gjinushit.