Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më datë 19 Nëntor ora 10.00 kërkesën e depozituar nga Sali Berisha, për rrëzimin e vendimeve të gjykatave të posaçme dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që prej 10 muajsh e kanë izoluar atë në shtëpi.
Ish-kryeministri ndodhet në masë sigurie "Arrest në shtëpi" prej 30 Dhjetorit 2023, kur nuk pranoi të paraqitej para togave të zeza për tre herë me radhë dhe SPAK u detyrua të kërkonte ndaj tij izolimin në shtëpi, në kushtet e mos zbatimit të vendimeve të mëparshme për "Detyrim paraqitje" dhe "Ndalim i daljes jashtë vendit".
Subjekte të interesuara në këtë proces gjykimi, Kushtetuesja njofton se janë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimi të Organizuar. Sali Berisha kërkon, konkretisht:
“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”.
Lideri demokrat, Sali Berisha, më 11 shtator u mor zyrtarisht i pandehur lidhur me dosjen “Partizani”. Ai mësoi nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonaj se është zyrtarisht një person i pandehur për drejtësinë shqiptare, pasi akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv” për dosjen “Partizani”.
Bashkë me të, në gjyq janë dhëndri Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi. Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Biznesmenit Fatmir Bektashi iu komunikua një vit pas nisjes së procesit gjyqësor akuza “Korrupsion aktiv” dhe “Pastrim parash”. Akuza e “Pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe financieres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Jamarbër Malltezin.
Sipas SPAK, në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:
Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
1- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
2- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
3- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.