Deputeti socialist Eduard Shalsi ka sulmuar drejtpërdrejt Sali Berishën nga foltorja e Kuvendit, pas rikthimit të tij në sallë pas më shumë se 11 muajsh. Ai i ka thënë liderit demokrat se koha e tij politike ka përfunduar dhe ai pati shansin me humbjen e 2013 të tërhiqej nga jeta parlamentare.
"Sali Berisha i kishte të gjitha mundësitë që mbas disfatës lapidare të 2013 të tërhiqej nga jeta politike dhe natyrisht t'i hapte udhën dikujt prej jush, që në fakt e bëri për Lulin, por ashtu siç e bëri edhe e çbëri. Di fare mirë historinë të Sali Berishës dhe unë e di fort mirë se çfarë mendon për Sali Berishën shumica prej jush. Sali Berisha mbetet një rudiment politik ndaj ky i ashtuquajtur rikthim është vetëm dështimi i tij politik.
E humbe shansin Sali, ndaj e kuptoj dhe marazin, e kuptoj edhe pikëllimin, ta kuptoj edhe sikletin e madh se çfarë do të thotë në moshën tënde të ballafaqohesh me disa të vërteta që ndoshta as nuk i kishe kuptuar e as nuk i kishe menduar", u shpreh Eduard Shalsi.
Deputeti socialist ju drejtua dhe kolegëve demokratë, kur ju tha se edhe ata e dinë që koha politike e Sali Berishës si lider i tyre, ka përfunduar. Ai shtoi se përveç keqardhjes, nuk ndjen asgjë tjetër për ish-kryeministrin.
"Jeni mjaftueshmërisht të zgjuar për ta kuptuar se koha e Saliut ka përfunduar njëherë e mirë. I kishte Saliu në dorë, edhe minimumin jetik, kishte mundësinë edhe për të përndjekurit, kishte mundësi tetë vjet edhe për pronarët.
Përveç se keqardhjes, Sali, nuk të ndihmoj dot. Përveç se keqardhjes së humbe shansin e jetës për t'u tërhequr dhe të lije historinë të gjykonte mbi ty, vazhdon mban peng një grup parlamentar dhe një popull opozitar që ka një nevojë ulëritëse për t'u përfaqësuar. Nuk je më as përfaqësues i tyre dhe je i dënuar të vuash në këtë moshë marazin dhe turpin e të larguarit nga politika në një mënyrë aspak dinjitoze", vijoi Eduard Shalsi.
Këtyre deklaratave të kryetarit të komisionit të Ekonomisë, i cili foli pas dy amendamenteve që propozoi Sali Berisha - për rritjen e minimumit jetik në 200 euro dhe pezullimin e shpenzimeve të luksit nga qeveria -, ju përgjigj Flamur Noka.
Ai i tha Eduard Shalsit se është i vetmi person që ka mbjellë tre herë flokët por nuk i kanë mbirë sepse, sipas tij, e ka kokën asfalt.
"Është i vetmi që ka mbjell flokët dhe e ka asfalt kokën. Je i vetmi vetmi që ke mbjellë tre herë flokët dhe nuk të mbijnë se e ke kokën rrafsh, e ke kokën asfalt", u shpreh Flamur Noka nga foltorja, për t'i dalë në mbrojtje Sali Berishës, ndërsa salla nisi të qeshte.