Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

“Sfidues dhe i papenduar”, mediat greke vazhdojnë me analizën e fjalimit të Ramës: Marrëzia e kryeministrit shqiptar s’u ndal

Shkruar nga Newsbomb
“Sfidues dhe i papenduar”, mediat greke vazhdojnë me
Foto nga dje/ Kryeministri Edi Rama me bashkeshorten ne Greqi

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama mblodhi mijëra shqiptarë në stadiumin “Galatsi” në zemër të Athinës, mediave greke nuk po “u del e keqja” dhe po vijojnë me analizat e tyre dhe leximin gabim të asaj çfarë kreu i qeverisë shqiptare donte të transmetonte.

Pa çka se vetë Rama me dhjetëra herë e tha dhe stërtha se vizita e tij nuk ka asnjë qëllim provokativ, mediat greke nuk mendojnë kështu.

Sipas tyre fjalimi mbi një orë i kreut të qeverisë shqiptare para emigrantëve që punojnë dhe jetojnë në shtetin fqinj ishte provokativ dhe akuzoi Greqinë për sjellje raciste.

“Sfidues dhe i papenduar”, mediat greke vazhdojnë me
Artikulli i medias greke

Pjesë nga artikulli i medias greke:

Megjithatë, ai ishte provokues dhe i papenduar. Duke iu referuar racizmit që ai tha se kanë përjetuar emigrantët shqiptarë, Rama theksoi se “ju përballeni me të gjitha llojet e shprehjeve brutale të arrogancës nga fqinji i pasur te fqinji i varfër”.

Edi Rama nxiti nacionalizmin shqiptar, duke shkuar deri aty sa iu referua çamëve dhe akuzoi Greqinë për urrejtje dhe sjellje raciste ndaj bashkëatdhetarëve të tij.

Ai paralelizoi dëbimin e emigrantëve shqiptarë me çamët duke vënë në dukje se: “ju jetuat poshtërimin e operacioneve të “fshesës” në fund të shekullit të 20-të, kur natën ju morën nga shtëpitë me rroba për t’iu dëbuar në Shqipëri, si një film i kohërave shumë të vjetra për shpërnguljet e detyruara të së parëve tanë nga shtëpitë e tyre në Greqinë Veriore. Keni bërë 2-3 punë në ditë pa ndërprerje, duke ngrënë një vakt në ditë”.

Që në fillim Edi Rama iu përgjigj dhe mesazhit që Fredi Beleri dërgoi nga burgu se “ kryeministri i Shqipërisë ka ardhur në Greqi për të provokuar”. Rama tha se: “Nuk kam ardhur për të provokuar, kam ardhur të takoj njerëzit e mi”.

Më pas ai ka dhënë një përgjigje indirekte për Athinën dhe gjithashtu për atë që tha Beleri për vizitën e tij në Greqi.

“Disa ishin të mërzitur. Disa njerëz u çmendën. Disa thanë se nuk duhej të kisha ardhur. Por ky tubim nuk është bërë për të provokuar. Është bërë për t’u takuar me njerëzit e mi dhe jo me shërbëtorët”, tha Rama.

Gjithashtu, në fjalën e tij Rama u përpoq të shtrembërojë të dhënat historike dhe ndër të tjera përmendi vështirësitë me të cilat janë përballur ata që kanë emigruar në Greqi.

“Ne ndryshuam emrat dhe fenë tonë për t'u pranuar. Shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuan kurrë. Luftuam që të mos jemi më të huaj në këtë vend. Ne luftuam dhe fituam. Grekë dhe shqiptarë, ne jemi evropianët e Greqisë. Morëm shtëpi, biznese dhe paguajmë taksa”, tha ai teksa më tej vazhdoi duke bërë marifete të ndryshme gjoja për të treguar sa afër realitetit grek: “Shqiptarët e Greqisë nuk do ta kthejnë kurrë kohën pas. Ashtu si Greqia ka nevojë për shqiptarët, ashtu edhe shqiptarët kanë nevojë për Greqinë. Dashuria mes grekëve dhe shqiptarëve duhet të ekzistojë sepse ne jetojmë këtu”.

Marrëzia e kryeministrit shqiptar nuk u ndal me kaq ai i kushtoi kryeministrit grek vargje të poetit të mirënjohur shqiptar Naim Frashëri: “Të mos bëhemi armiq dhe të luftojmë...”.

Sipas mediave shqiptare (Top Channel), në fund të fjalës së tij gjatë takimit me emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, Edi Rama tha:

“Kërkoj falje për çdo gabim që mendoni se kam bërë, por nuk i kam tradhtuar asnjëherë ata që më besuan votën e tyre, as edhe një herë për këtë nder të jashtëzakonshëm. Nuk ka nder më të madh për një njeri në jetën e tij të udhëheqë vendin e tij. Nuk ka fuqi materiale, ekonomike, financiare, person apo shtet që mund të më tundojë apo të më bëjë presion për të vepruar pas shpine tuaj dhe për të shkelur interesat. Kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe nuk besoj se do të ketë më të bukur”.

“Dëshiroj t'i dërgoj një mesazh në emrin tuaj mikut tim, i cili u zgjodh nga populli i këtij vendi për të udhëhequr Greqinë, kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Në vitin 1886 poeti ynë Naim Frashëri shkroi poezinë e tij në greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. Le të jetojmë me të gjithë fqinjët në rregull dhe paqe, të mos bëhemi armiq dhe të luftojmë. Shumë faleminderit nga unë dhe nga shqiptarët e Greqisë”, tha ai duke përfunduar fjalën e tij dhe duke dëshmuar edhe një herë se mbetet sfidues i papenduar.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese