Hapësire reklamuese


Politikë

"Secili ka mbi shpatulla kokën e vetë", Edi Rama ndan rrugët me "tradhtarët": Përveç Zahos, nuk mbroj asnjë që ka punë me SPAK!

Shkruar nga Newsbomb
"Secili ka mbi shpatulla kokën e vetë", Edi Rama ndan
Edi Rama me deputetet dhe ministrat e PS

Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë për të vetët në ballafaqimin e sotëm me ta: Ai nuk do të jetë mburoja e asnjë burri që do të mbajë karrigen e pushtetit me para të vjedhura.

Në një mbledhje të hapur me deputetë dhe ministra, Rama ka theksuar se kush flirton me korrupsionin mes kryetarëve të bashkive, deputetëve, ministrave, është një tradhtar dhe nuk ka lidhje me të dhe Partinë Socialiste.

“Kushdo që tradhton ata që na kanë besuar, kush flirton me armikun korrupsion, kush i tradhton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, nuk është as ne as i yni dhe as nuk ka as një punë me ne. Kushdo  që fut duart në arkën e këtij shteti nuk është ne nuk ka si të jetë në e si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes, e thënë ndryshe çdo anëtar i kësaj familje të madhe politike që bën korrupsion është një tradhtar", u shpreh Edi Rama.

Kryeministri tha se në këtë sistem të ri, kushdo ka mbi shpatulla kokën e vetë dhe mban vetë përgjegjësi kur shkel në një dërrasë të kalbur. "Ah jo jo, unë nuk lëshoj djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë mbi det kur do të hidhet, po nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur i vjen ora të thirret", theksoi ai. 

"I dëgjoj edhe kur bërtasin me të madhe: Hajdutët e Edi Ramës! Ia kapën këtë ministër, ia kapën këtë kryetar bashkie, atë drejtor, një tam-tam i përditshëm për të helmuar popullin. Në këtë sistem mbajmë secili mbi shpatulla kokën e vetë dhe përgjegjësia morale nuk është asociim për shkak se dikush shkel ligjin për përfitim personal", u shpreh Edi Rama.

Ai shtoi se në këto 10 vite ka punuar me 40 e kusur ministra në disa qeveri dhe kush ka gabuar, është larguar prej tij para se të vepronte drjetësia. Ai tha se edhe tashmë, kush gabon duke menduar se do punojë fshehurazi për xhepin e vetë, nuk do të ketë në krah as atë dhe as PS.

"Ua kam thënë jo vetëm njëherë disave që janë këtu dhe ndonjërit që nuk është këtu se zgjodhi të bënte një rrugë e dy punë, mos e ngatërroni punën e përbashkët me asnjë dërrasë të kalbur ku largqoftë mund të shkelni. Kush e vë këmbën në një dërrasë të kalbur, e di mirë se çfarë ndodh", vijoi ai.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

Askush të mos ketë asnjë iluzion se gjendet dot në këtë vend një fuqi tjetër nga fuqia e Partisë Socialiste, që të ketë aftësinë, kurajon dhe fuqinë, po tanimë edhe eksperiencën që ta udhëheqë e ta fitojë dot betejën për shtetbërjen europiane të Shqipërisë, e cila është në thelbin e saj është një luftë e madhe për triumfin e kulturës së shtetit mbi traditën e antishtetit.

Këtë të vërtetë nuk duhet ta harrojë asnjëherë, asnjë ditë të vetme, asnjë drejtues, deputet, ministër, kryebashkiak i Partisë Socialiste dhe asnjë anëtar i kësaj partie, jo për t’u mburrur, në asnjë mënyrë, po për të mos e humbur në asnjë rast e për asnjë arsye, vetëdijen dhe përgjegjësinë për rolin tonë udhëheqës, vendimtar, absolutisht të pazëvendësueshëm, sot për sot e për shumë kohë akoma, në këtë luftë për Shqipërinë.

Sot që flasim, në radhë të parë të gjithë ju dhe të gjithë anëtarët e kësaj familje politike, mos e hiqni nga mendja dhe ndërkohë të gjithë duhet ta dëgjojnë se pas 113 vjetësh pavarësi të Shqipëri, pas 33 vjetësh pluralizëm politik dhe pas krijimit të 333 partive në këtë vend, kjo parti është e vetmja në hapësirën e armikut historik të drejtësisë në Shqipëri, pushtetit politik, që ka bërë një zgjedhje të paguxuar nga askush tjetër.

Ne kemi zgjedhur të luftojmë për pavarësimin dhe forcimin e drejtësisë, duke u vetëvendosur, jo vetëm në anën e drejtësisë, përmes ushtrimit të pushtetit tonë si shumicë ligjvënëse, po edhe në dispozicion të drejtësisë, përmes tërheqjes sonë të plotë nga çdo kontroll politik i saj. Ne jemi e para parti politike në historinë e Shqipërisë që kemi dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur nga drejtësia, duke vrarë drejtësinë. Ne jemi vetëçarmatosur.

Falë intuitës së pakonkurueshme politike të popullit shqiptar, që e ka kuptuar se përtej kusureve jo të vogla, kjo parti është e vetmja që ka ambicien, kurajën dhe aftësinë për ta bërë këtë vend një shtet normal europian, e për ta ngritur flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian, ne kemi sot edhe forcën udhëheqëse që ta realizojmë këtë ëndërr të vjetër shqiptare.

Kemi në dorë shumicën e parlamentit dhe drejtimin e pushtetit ekzekutiv, pa qenë të detyruar t’i themi dajë asnjë derri, për të qeverisur e për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt majës ku e meriton amaneti i rilindasve tanë dhe e drejta e fëmijëve tanë.

Prandaj o e fitojmë ne këtë luftë të madhe për Shqipërinë, duke ia vënë shtetit që po ndërtojmë të gjithë pushtetin e Partisë Socialiste në dispozicion,bashkë me gatishmërinë për të marrë çdo kosto, ose kjo dallgë e sapongritur e drejtësisë së re, kundër abuzuesve të pushtetit politik e të funksioneve publike, do të thyhet nëpër shkëmbinjtë ende të kudondodhur të kulturës e të politikës së vjetër antishtet.

Prandaj dua edhe të jem shumë i qartë këtu me ju:

Tek kjo ne-ja, Partia Socialiste, nuk ka dot dhe s’ka për të pasur dot, të paktën sa të jem unë i besuari juaj në krye të kësaj partie, një “ne” të njëjtë, si kur bëjmë betejat dhe punët për të cilat na kanë besuar shumica e shqiptarëve, si për këdo mes nesh, sado afër këtu apo sado larg nga këtu, që tradhton ata që na kanë besuar, duke flirtuar me armikun e shpallur numër një të kësaj lufte, i cili është korrupsioni.

Kush flirton me atë armik, kush i tradhton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie, kush i tradhton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, afro 800 mijë zgjedhësit që secilit e secilës këtu në këtë sallë, i kanë bërë nderin e jetës, duke i dhënë mandatin e lartë të përfaqësuesit të një populli e një atdheu të tërë, në parlament apo në qeveri, deputet a ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni, e as nuk ka asnjë punë me ne!

Ashtu sikundër, kushdo që është zgjedhur në krye të një bashkie ose punon si drejtues dhe përgjegjës në nivelet e tjera të administratës shtetërore, qendrore apo vendore, nëse fut duart në arkën e këtij shteti dhe në xhepat e këtij populli, nuk është ne, nuk ka sesi të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes!

E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe politike që bën korrupsion me funksionin publik është vetëm një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar, si çdo hajdut me kostum që merr ç’nuk është e tija, po edhe i Partisë Socialiste të Shqipërisë, si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet.  Kur qëllon që fatmirësisht një hajdut e parazit i tillë të zbulohet nga drejtësia, i hidhur është sa të duash fakti se e kishim mes nesh, por ama lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë është vetëm shumë i mirë.

Vjen edhe tek unë njësoj si tek ju, helmi që hidhet, duke përdorur raste të korruptuarish apo të dyshuarish për korrupsion, siç hidheshin në mesjetë minjtë në ujësjellat e kështjellave për të helmuar të tërë ata që jetonin në kështjellë. I dëgjoj edhe kur thonë hajde na jep përgjigje ti Edi Rama për këtë miun një karrige më poshtë, tre karrige më tutje apo edhe njëqind kilometra larg teje, se edhe ai i yti është, i Partisë Socialiste është… Jo, jo, s’është as i imi, as i yni, po është vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë, cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi, në daç si ministër qeverie, në daç si kryetar a drejtor bashkie e në daç si përgjegjës drejtorie, e përdor për t’i vjedhur këtij shteti e për t’i futur dorën në xhep këtij populli.

I dëgjoj patjetër, edhe kur bërtasin me të madhe, hajdutët e Edi Ramës dhe nuk pushojnë duke bërtitur “ia kapën këtë ministër e ia kapën atë ministër,

ia rrasën brenda këtë kryetar bashkie e atë drejtor drejtorie”, në një tam-tam të përditshëm e të dëshpëruar për të shurdhuar e helmuar popullin…

Po në sistemin ku jetojmë individi është sovran, ndërsa përgjegjësia e familjes, farefisit, kolektivit, partisë, është vetëm një bisht i mendësisë ende të gjallë të sistemit komunist, ku koka e prerë e një individi rrokullisej me të tjera, sipas oreksit të partisë-shtet që ushqehej me dogmën morale të fajit kolektiv.  Në këtë sistem mbajmë secili mbi shpatulla kokën e vet dhe nuk ekziston fajësimi me asocim. Ndërsa përgjegjësia morale nuk është vetëfajësim me asocim, për shkak se dikush tjetër shkel ligjin për përfitim personal. Rruga e jetës na bashkon me kaq shumë të tjerë për njëmijë e një arsye, por puna që na lidh për një qëllim në këtë rast shumë të madh a për plot arsye të mira edhe na zgjidh për një vepër të ulët si tradhëtia.

 Unë kam pasur detyrën të punoj në këta dhjetë vjet me dyzetë e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar prej meje, qysh në ditën e parë të fillimit të punës e jo vetëm, se kush lufton për qëllimet tona të përbashkëta ka mbështetjen time në çdo hap, ka diskrecion të plotë në vendimet e veta e në rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe më ka në krah, kurdoherë që do të sulmohet për përpjekjet që bën në llogoren e përbashkët. Por kush gabon, duke kujtuar se mund të bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë, duke luftuar me mua e me Partinë Socialiste për të mirën e punës së përbashkët për shtetin, e nga ana tjetër duke punojë fshehtaz edhe për xhepin, nuk do të ketë në krah as mua, as Partinë Socialiste, por vetëm avokatin e vet përpara drejtësisë.

Qeveritë e mia kanë ndryshuar, ministrat kanë ndryshuar, shumë gjëra i kemi ndryshuar së bashku në çdo sektor, po kjo devizë as nuk ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë, deri kur të jem unë të paktën.

 “Jo po PS-ja duhet t’i mbajë njerëzit e saj dhe ti duhet s’duhet t’i lëshosh njerëzit e tu!”…

 Ah jo jo, unë nuk lëshoj djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë mbi det kur do të hidhet, po nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur i vjen ora të thirret.

“Jo po s’kam bërë asgjë, po më bien në qafë se ma bën ky e ma bën ai, se SPAK-u kështu e SPAK-u ashtu”…

Nëse s’ke bërë asgjë s’ke nevojë të të mbaj unë dhe PS-ja, të mban e vërteta, prandaj lufto për të vërtetën tënde, se kjo parti e kjo qeveri nuk bëjnë dot asnjë koment për çështjet që hap SPAK-u, jo më avokatinë e një drejtori, kryebashkiaku, deputeti apo ministri të kërkuar nga SPAK-u.

Madje, sa më lart të jetë ngjitur kërkesa e SPAK-ut aq më shumë ne e presim të vërtetën vetëm nga SPAK-u, jo nga i lartësuari prej nesh që kërkon dhe që të mos e lëshojmë.

Keq më vjen shumë për këdo që nuk do ta pranojë realitetin e ri. Është kthyer një botë përmbys, e di, kanë ardhur kohë të këqija shumë për ata që ishin mësuar me drejtësinë të lidhur pas qerres së pushtetit politik dhe duan dhe të shërbejnë dhe të rrëmbejnë.

Unë nuk kam dhe ne nuk kemi hiç se çfarë të bëjmë askujt që nuk do ta kuptojë se kjo luftë për drejtësinë e re, të çliruar dhe të pavarur nga pushteti politik është e vërteta jonë më kuptimplotë në raport me Shqipërinë, me shqiptarët dhe me historinë.

Prandaj po kthehem pak tek ministrat, tam-tami histeriko-mediatik “të gjithë hajdutë”.

E para njëherë është se në 40 e ca ministra që kanë punuar në qeveri të drejtuara prej meje, ai grusht ministrash socialistë në këta 10 vjet që kanë deri më sot lidhje me marrje nën hetim, akuza të ngritura, dënime apo procese në vazhdim nuk janë larguar nga SPAK-u, por janë larguar njëherë nga unë për të korrigjuar shënjestrat e punës, por t’i bësh sot pis të gjithë, t’i quash të gjithë hajdutë, tu bësh gjyqe politike dhe mediatike përditë duke i marrë disa shembuj të drejtësisë që jemi ne që krijuam kushtet që ata shembuj të krijohen si argument për të përbaltur një punë kolosale, rezultate të gjithë pranuara, progresin për të cilin kanë kontribuar pikërisht qeveritë tona duke e çuar Shqipërinë tek dera e Bashkimit Europian është një histeri e denjë për studime neuro-psikologjike, por me të vërtetën nuk ka pikë lidhje. E nëse të gjithë ministrat kanë lëvizur për të dinamizuar më tej punën në raport me korrupsionin, unë as nuk kam qenë ndonjëherë mbulesa, as nuk jam mburoja e asnjërit nga të cilët kam punuar dje e punoj sot.

E kundërta ka qenë dhe mbetet rregullisht e vërtetë dhe provat e kësaj që po them janë publike. Vija mes funksionit tim dhe funksionit të drejtësisë është gjithnjë dhe vetëm me një ngjyrë, e kuqe, e pakapërcyeshme dhe e pandryshueshme siç është e shkruar në Kushtetutë dhe në ligjin e veprimtarisë së Këshillit të Ministrave, por siç është e përcaktuar pa ekuivok në zakonin e punës sonë.

Ua kam thënë jo njëherë disave këtu dhe ndonjërit që nuk është më këtu sepse zgjodhi të bënte një rrugë e dy punë, por e kam thënë dhe publikisht për të gjithë ju, këtu dhe në forumet e tjera të partisë. Mos e ngatërroni kurrë punën e përbashkët dhe shoqërinë me të cilën na lind privilegji për të punuar për vendin, falë atyre që na kanë besuar votën, me asnjë dërrasë të kalbët ku largqoftë mund të shkelni.

Kush e vë këmbën në një dërrasë të kalbur, e di mirë çfarë bën. Prandaj nuk jam unë dhe PS-ja që lëshon kur i dridhet toka nën këmbë, por është ai që ka lëshuar PS-në bashkë me mua. Pastaj kur thonë, “Rama e ka kështu se i përdor dhe i hedh si limona të shtrydhur se nuk i duhen më”, e kanë shumë gabim. Kush e ushqen me korrupsion krimin e dëshirës për vetëpasurim përmes funksionit publik, nuk është një limon i shtrydhur që e hedh unë, por një mollë e kalbur që bie vetë.

I dëgjoj edhe kur përsërisin pa pushim, me shpoti të madhe, s’ka mundësi që të mos i dijë Edi Rama horrllëqet e një X-i, pisllëqet e një Y-i. Helbete, mirë që s’më njohin fare hiç, po ose më dinë si veten, ose nuk e kanë haberin se si funksionon pushteti ekzekutiv dhe çfarë duhet të bëjë apo çfarë nuk mund të bëjë një qeveri apo një kryeministër në udhëheqjen e luftës kundër korrupsionit.

Ky nuk është as shfajësim, as justifikim, po thjesht realiteti i punës sime si kryeministër, filozofia ime e lidershipit dhe qasja ime ndaj skuadrës me të cilën punoj. Kush ka punuar dhe punon me mua në kabinetet qeveritare e di se sa shumë debatohet në rastet kur nuk ka dakordësi dhe nuk ndodh që një vendim të kalojë në qeveri pa dakordësinë e të gjithëve, për të cilën ka ndodhur, duhen dhe muaj derisa është gjetur një gjuhë e përbashkët.

Nuk ekziston që një anëtar i kabinetit qeveritar të shtrëngohet për të vendosur kundër bindjes së vet mbi çështjet ku unë e mendoj si njëri, tjetri mendon ndryshe edhe nga ai edhe nga unë. Kurrë nuk mungon për asnjërin nga anëtarët e qeverisë, mbështetja e plotë nga ana ime, për ta bërë detyrën në të 360 gradët e funksionit që ka secili dhe secila, por ama nuk ka pasur asnjëherë, asnjë mëdyshje, për t’ia lënë drejtësisë tërësisht në dorë fatin e çdo çështje të hapur nga SPAK.  Qoftë kur një ish-ministër del se meriton vetëm vetminë para ligjit dhe ne votojmë heqjen e imunitetit pa shprehur asnjë rezervë, jo qorrazi, bazuar mbi leximin shumë të mençëm të dosjes, sepse për heqjen e imunitetit nuk kemi vetëm të drejtën, por kemi dhe detyrën të bëjmë komente, madje të shprehemi jemi apo nuk jemi dakord. Qoftë kur një tjetri i kufizohet liria apo edhe ndiqet në gjendje të lirë, ndërkohë që linçohet publikisht i dënuar nga Prokuroritë dhe Gjykatat e penxhereve majë pallateve edhe në netët televizive edhe pse me ligj dhe me zakon, çdo njeri konsiderohet i pafajshëm deri në fund të procesit gjyqësor, apo qoftë dhe kur të tjerë akoma, aktualisht edhe ministra apo krye bashkiakë në detyrë thirren në SPAK që të japin sqarime për një çështje të caktuar.

Edhe në vendet më demokratike, politika i komenton rëndom vendimet e Prokurorisë, vendimet e Gjykatave, shikoni çfarë bëhet në Amerikë përditë, sot që flasim, por ky qëndrimi ynë i heshtur, ka një arsye shumë të fortë, shumë madhore që lidhet drejtpërdrejt me luftën tonë për pavarësimin e drejtësisë pas 100 e kusur vjetësh nën thundrën e pushtetit politik.

Dikur, jo ministra, po as ish-ministra nuk i thërriste dot Prokuroria, as nuk e hapte fare, hiç, një çështje nëse largqoftë mund të lidhej direkt me ndonjërin syresh, ndërsa pushteti politik e linçonte publikisht drejtësinë dhe direkt Prokurorin e Përgjithshëm. Herë duke krijuar shumica fluide në Parlament edhe kundër kryeministrit për ta shkarkuar, herë duke e kushtëzuar edhe konsensusin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, këtu, në sallë tjetër me kërkesën mafioze për të bërë kurban njëherë Prokurorin e Përgjithshëm me votat e opozitës. Herë duke e pagëzuar publikisht si lavire bulevardi nga tribuna e Kryeministrisë dhe duke përdorur për letër higjienike urdhër arreste e Prokurorit të Përgjithshëm për drejtuesit e Policisë, edhe pas një mizorie vrasje njerëzish në bulevard siç ndodhi në 21 janar.

Dikur, kreu i tatimeve të Republikës së Shqipërisë, vazhdonte e drejtonte agjencinë më të rëndësishme të vendit, agjencinë e të ardhurave për arkën e shtetit nga kuzhina, në arrest shtëpie për krime dhe kryeministri predikonte prezumimin e pafajësisë duke u bërë mburoja e tij kundër drejtësisë. Dikur, kapej burri i botës me qindra mijëra presh në dorë, me zë e me figurë dhe pushteti politik e detyronte drejtësinë ta bënte popullin e tërë budalla, duke thënë “ishte ai, po s’ ishte tamam ai, ishte zëri i tij, po në fakt zëri ishte i dikujt tjetër”, ndërsa miliona të tjera kokë prasi të pa kapura bëheshin rrush e kumbulla për të blerë vota dhe për ta shitur kecin si dash për çore në pazarin e koalicioneve qeverisëse. Dhe këto nuk janë dikuret e vitit 1913-të. Nuk janë as dikuret e vitit 1923, nuk janë as dikuret e vitit 1993. Këto janë dikure të deri 10 vjetëve më parë, ndërkohë që personazhet dhe partitë e kohës së këtyre dikureve janë sot gjithë ditën në hapësirën e pushtetit politik në Shqipëri, sa në majë të pallatit, sa në majë të skelave prej hekuri, duke lëshuar në sabah dhe në aksham, thirrje histerike kundër korrupsionit dhe kundër SPAK-ut, por sot nuk është më si dikur. Sot, çdo dikush para ligjit, s’është askush më shumë sesa një qytetar si gjithë të tjerët siç e parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese