
Kuvendi ka mbajtur sot seancën e fundit plenare para zgjedhjeve të 11 majit, ndërkohë që kryeparlamentarja Elisa Spiropali bëri një përmbledhje të arritjeve dhe kontributin e legjislaturës për zhvillimin e vendit.
Në fjalën e saj, Spiropali ka theksuar se gjatë kësaj legjislature është punuar jashtëzakonisht fort për harmonizmin e legjislacionit me Bashkimin Europian, ndërsa ka përmendur edhe reformat në drejtësi, si dhe reformën zgjedhore, e cila mundësoi edhe votimin e Diasporës.
Por si një ndër arritjet tjera më kryesore, Spiropali theksoi po ashtu nënshkrimin e 16 marrëveshjeve për njohjen e ndërsjellë të pensioneve, e fundit ajo me Itali, ndërsa u shpreh se kjo gjë pritet të synohet edhe me vendet tjera pritëse të emigrantëve shqiptarë.
Ndër të tjera, kryeparlamentarja theksoi se puna e Kuvendit të Shqipërisë gjatë kësaj legjislature nuk ka qenë qëllim në vetvete, por i ka shërbyer zhvillimit të vendit, ndërsa u shpreh se Kuvendi ka punuar për të bërë Shqipërinë lidere të rajonit, si dhe të procesit të bashkëpunimit dhe integrimit europian të vendeve të rajonit.
Fjala e Spiropalit:
Zonja e zotërinj deputetë,
Në këtë seancë të fundit plenare para zgjedhjeve të 11 majit dëshiroj të nënvizoj disa tipare të kësaj legjislature dhe të hedh një vështrim mbi kontributin e saj në zhvillimin e vendit.
Legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Shqipërisë ka qenë më tepër se çdo legjislaturë tjetër dedikuar integrimit europian të Shqipërisë.
Nga një ëndërr, anëtarësimi europian është tashmë një realitet. Gjatë kësaj legjislature e shpumë Shqipërinë para portave të Bashkimit Europian.
Nga 19 korriku i vitit 2022, kur në Bruksel u mbajt Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së, dhe deri në lajmin e fundit mbi hapjen në Tiranë të Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian, përjetuam një fazë historike tepër të rëndësishme të rrugëtimit tonë europian.
Objektivi ynë strategjik kombëtar, Shqipëria në BE brenda vitit 2030 dhe mbyllja e negociaatve teknike brenda vitit 2027 ka mbështetjen e institucioneve europiane.
E kam konstatuar këtë mbështetje gjatë të gjitha takimeve që kam zhvilluar me kryeparlamentarë të vendeve të Bashkimit Europian. Sidomos gjatë takimit me Presidenten e Parlamentit Europian Roberta Metsola në nëntor të vitit të kaluar në Bruksel; gjatë diskutimeve me Presidentët e Parlamentit dhe Senatit të Polonisë, si vendi që ka Presidencën e Këshillit Europian, në Varshavë në 5 mars të këtij viti; si edhe në takimim me Komisioneren Europiane për Zgjerimin Marta Kos javën e kaluar në Kuvend.
Kjo mbështetje, e cila i shtohet mbështetjes së gjerë popullore për anëtarësimin në BE, është një frymëzim i madh, por edhe një detyrim i madh.
Duke udhëhequr me vendosmëri këtë proces, Kuvendi i ka dhënë procesit në fjalë legjitimitetin demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës, duke dhënë edhe vetë shembullin e një institucioni të përkushtuar maksimalisht e thelbësisht ndaj antarësimit.
Mjafton të përmendim faktin që gjatë kësaj legjislature kemi punuar jashtëzakonisht fort për harmonizmin e legjislacionit me Bashkimin Europian, Komisioni për Çështjet Europiane ka shqyrtuar gjatë legjislaturës 121 projektligje me përafrim, nga të cilat 22 ne vitin 2021, 12 në 2022, 27 në 2023 dhe 54 gjatë vitit 2024.
Edhe kjo trajektore rritëse tregon për intensifikimin e harmonizimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së gjatë secilit vit të legjislaturës.
Është fakt se megjithse në këtë sallë nuk shquhemi për mirëkuptim të ndërsjelltë, kemi gjetur bashkëpunim për Shqipërinë europiane.
Jam e bindur se shpreh edhe mendimin tuaj se Kuvendit të ri duhet t’i dorëzojmë dhe do t’i dorëzojmë një Shqipëri të gatshme për t’u pranuar në familjen europiane në mënyrë që legjislatura e njëmbëdhjete t’i dorëzojë pasardhëses së saj një parlament të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.
II.
Legjislatura e dhjetë ishte një legjislaturë reformash, mbi të gjitha e reformës në drejtësi.
Gjatë kësaj legjislsature pothuajse ka përfunduar procesi i vetting-ut, i cili ka nxjerrë nga sistemi i drejtësisë rreth gjysmën e trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përveç racionalitetit dhe impaktit në sistem, vetting-u e bëri reformën në drejtësi një referencë për konsolidimin e institucioneve të tjera demokratike në shoqërinë shqiptare.
Ne duhet të vijojmë të thellojmë dhe të garantojmë rritjen e vazhdueshme të integritetit të institucioneve të drejtësisë, dhënien e drejtësisë së shpejtë, respektimin e proceseve të drejta ligjore, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore te njeriut. Askush mbi ligjin, askush nën ligjin, duhet të jetë standard i garantuar nga drejtësia, tek e cila kemi investuar shumë shpresë, besim e financa publike.
Reforma zgjedhore, e cila mundësoi votimin e Diasporës nga jashtë vendit, është paraprirë nga masa e veprime për mbështetjen e emigrantëve shqiptarë dhe rritjen e mirëqenies së tyre.
Prej vitit 2013 kemi nënshkruar 16 marrëveshje me vende të huaja për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve, nga të cilat përfitojnë 800 mijë bashkëatdhetarë.
Marrëveshja për pensionet me Italinë, e cila, pas miratimit në 5 mars në Senatin Italian, do të fillojë menjëherë të zbatohet, do t’u shërbejë mbi 500 mijë emigrantëve shqiptarë në Itali.
Këtë do të synojmë të arrijmë edhe me vendet e tjera pritëse të emigrantëve shqiptarë. Marrëveshja me Greqinë synojmë të mbyllet gjatë legjislaturës së ardhshme.
Për fat të keq, dialogu parlamentar nuk ka qenë ai që dëshironim të gjithë dhe ai që presin qytetarët. Përpjekjet për konsensus janë dëmtuar, disa herë edhe seriozisht, nga tentativat për të zëvendësuar debatin parlamentar me gjuhën e ashpër të urrejtjes, vulgaritetin dhe dhunën.
Shpresoj dhe besoj që normaliteti në të cilin kanë hyrë punimet e Kuvendit të vijojë edhe gjatë legjislaturës së re.
Kuvendi ka fuqizuar funksionin e kontrollit parlamentar, përveç të tjerash edhe nëpërmjet ngritjes së katër v hetimore, rezultatet e të cilave janë inkorporuar në veprimtarinë e tij dhe të institucioneve shtetërore, si dhe pesë komisioneve të posaçme parlamentare, dy prej të cilave, Komisoni për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe Antikorrupsion për Shqipërinë 2030 dhe Komisioni Kundër Dezinformimit po vijojnë veprimtarinë e tyre, duke u kthyer në burime ekpertize të çmuar nga dhjetra ekspertë e akademikë të njohur.
Gjatë legjislaturës së dhjetë bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës shënoi kulme që nuk ishin arritur kurrë më parë.
Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy Kuvendeve, ndërveprimi e shkëmbimet intensive mes komisioneve parlamentare, grupeve parlamentare e deputetëve si edhe dy mbledhjet e përbashkëta të Kuvendeve, në 27 nëntor 2022 në Tiranë, dhe në 20 dhjetor 2024 në Prishtinë, janë disa tregues të këtij bashkëpunimi vëllazëror e konstruktiv.
Ne mbështetëm rolin e Kosovës në shumicën e organizatave ndërkombëtare dhe kam besim se edhe Kuvendi i ri do të vijojë këtë proces, sidomos për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe rritjen e rolit të saj si një faktor paqeje në rajon e më gjerë.
Gjatë kësaj legjislature Kuvendi ka mbështetur përpjekjet për të shndërruar Shqipërinë në një qendër dhe faktor të zhvillimeve rajonale, madje në lider të procesit të bashkëpunimit dhe integrimit europian të vendeve të rajonit.
Kemi mbrojtur të drejtat e pakthyeshme dhe kemi nxitur rolin e faktorit shqiptar në rajon, Kosovës si edhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi si faktor zhvillimi, demokratizimi, europianizimi dhe sigurie e paqeje.
Maqedonia e Veriut po përjeton një tragjedi të rëndë, pas humbjes së dhjetra jetëve të vajzave e djemve mëngjesin e djeshëm në Koçan. Duke ndarë dhimbjen me familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur dhe duke u uruar të lënduarve shërim të shpejtë, i jemi pranë popullit dhe autoriteteve të vendit fqinj e mik në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe.
Puna e Kuvendit të Shqipërisë gjatë kësaj legjislature nuk ka qenë qëllim në vetvete, por i ka shërbyer zhvillimit të vendit.
Me ligjet që kemi miratuar, kontrollin parlamentar që kemi ushtruar dhe mbështetjen që u kemi dhënë institucioneve shtetërore, të pavarura, publikut dhe qytetarëve, kemi kontribuar në përmirësimin e ndjeshëm të mjaft treguesve të rritjes ekonomike.
Shqipëria e legislaturës së dhjetë, ka ndërtuar e po konsolidon një sistem ku treguesit e zhvillimit po përkthehen në mirëqenie për qytetarët. Po përmend shkurtimisht disa prej këtyre treguesve:
Të ardhurat për frymë janë trefishuar, nga 3324 euro në vitin 2013, në 10.342 euro në vitin 2024.
Prodhimi i brendshëm bruto është rritur mbi 2,5 herë, nga 9,6 miliardë euro në 25 miliardë euro.
Paga mesatare e përgjithshme u rrit 2,6 herë, nga 322 euro në 830 euro.
Paga mesatare e mësuesve është dyfishuar.
Pensioni mesatar është dyfishuar, nga 86 euro, në 175 euro.
Papunësia është përgjysmuar, nga 17.5% në 8.8%.
Buxheti i shëndetësisë është trefishuar, nga 250 milionë në 760 milionë euro. 600 mijë qytetarë të pasiguruar marrin shërbim shëndetësor falas, edhe pse nuk kanë paguar ndër vite kontributet e tyre.
Buxheti për shërbimet e përkujdesit shoqëror është katërfishuar, nga 3.5 milion euro në 15 milion euro.
Sipërfaqja e serave dhe eksportet bujqësore u trefishuan.
Numri i turistëve u rrit nga 1 milion në 12 milionë.