
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça do të dëshmojnë më 4 qershor në Komisionin Hetimor për TIMS-in.
Komisioni i drejtuar nga deputeti demokrat Ervin Salianji vendosi të thërrasë 3 dëshmitarët në 4 qershor në orën 15:00, duke i dhënë kohë ligjvënësve, anëtarë të Komisionit hetimor, të pajisen me çertifikata sigurie.
Kujtojmë se më 15 maj Taulant Balla u paraqit në mbledhjen e Komisionit Hetimor për ndërhyrjen në sistemin TIMS ku dhe kërkoi që dëshmia e tij të bëhej me dyer të mbyllura pasi kishte të dhëna konfidenciale. Gjithashtu ministri kërkoi që deputetët të ishin të pajisur me certifikatë sigurie. Duke qenë se jo të gjithë deputetët kishin këtë certefikatë, dëshmia e ministrit nuk mund të vazhdonte.
Edhe kreu i Policisë së Shtetit në mbledhjen e kaluar kërkoi që dëshmia e tij të merrej me dyer të mbyllura. Ndërkohë, pas Rrumbullakut në mbledhje për të dëshmuar i shoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit u fut edhe ish-drejtori i IT-së, Ervin Muça.