Kryetari i Komisionit Hetimor të TIMS, Ervin Salianji ka njoftuar mbledhjen e radhës për Komisionin. Sipas njoftimit të publikuar, mbledhja do të zhvillohet të hënën e 10 qershorit në orën 14:00.
Gjatë kësaj seance pritet që të dëshmojnë dëshmitarë të tjerë që kanë pasur funksione të larta në Policinë e Shtetit dhe që mendohet se kanë qenë në dijeni për rrjedhjen e të dhënave personale të shqiptarëve.
Dëshmitarët që do të paraqiten të hënën në Komision janë Ardit Muço, i cili ka mbajtur më parë pozicionin si Përgjegjës sektori i IT-së në Policinë e Shtetit, Besjan Tanuzi, që ka mbajtur detyrën Drejtor i Sistemeve në Polici, si dhe Ervina Gjana, aktualisht Drejtoreshë në sektorin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit.
Kujtojmë se këtë të mërkurë në Komisionin Hetimor të TIMS u paraqitën për të dëshmuar ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i pergjithshëm në Policinë e Shtetit, Muhamet Rrumbullaku si dhe ish- drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi sipas dëshmitarëve kishte informacione sensitive që minonin sigurinë e procesit të hetimeve, ndonëse opozita kërkoi që ajo të ishte e hapur për publikun.
Njoftimi i plotë:
Në zbatim të vendimit të ndërmjetëm nr. 10, datë 04.06.2024 të Komisionit hetimor “Për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS”, Komisioni do të zhvillojë mbledhje ditën e hënë ora 14:00, datë 10.06.2024 me rend dite:
Miratim i procesverbalit të mbledhjes datë 04.06.2024.
Si dhe zhvillimi i seancave dëgjimore me dëshmitarët si vijon:
Ora 14:00 – Z. Ardit Muço, Ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit;
Ora 15:00 – Z. Besjan Tanuzi, Ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit;
Ora 16:00 – Znj. Ervina Gjana, Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit.