
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë më datë 15 tetor kërkesën për pezullimin e vendimit të dënimit me 1 vit burg, të depozituar nga deputeti Ervin Salianji.
Seanca do të zhvillohet në orën 13.20. Burime për media bëjnë me dije se relator i kësaj çështje do të jetë Sokol Binaj.
Salianji nëpërmjet avokatëve ka kërkuar pezullimin e vendimit, deri në përfundimtar nga Gjykata e Lartë.
Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji për dosjen "Babale" dhe vendimi është apeluar prej tij në Apel. Vite më parë, Ervin Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj duke thënë se edhe përse ishte i dënuar me 7 vite burg në Itali, prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri falë mbështetjes së të vëllait politikan.
Gjatë asaj kohe, gazetari Jetmir Olldashi publikoi një video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si drejtues i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm. Pas publikimit të këtij rasti u hap një hetim penal me kallëzimin e Geron Xhafaj dhe në përfundim rezultoi se video ishte e montuar. Deputeti Ervin Salianji u dënua me një vit burg për "kallëzim të rremë". Tashmë Salianji ndodhet në burgun e Fierit.