Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka deklaruar se arrestimi i drejtorit të IT në policinë e shtetit është rezultat i parë i konfirmimit të punës së Komisionit Hetimor. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Salianji thotë që suksesi i kësaj pune është gjithashtu një konfirmim i denoncimeve të opozitës.
“Arrestimi i Drejtorit të IT në policinë e shtetit, dëshmitari i parë i listuar në planin paraprak të hetimeve të Komisionit Hetimor, Ervin Muça, është rezultat i parë i punës së Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS dhe konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës,”- shkruan Salianji në postimin në rrjetin social Facebook.
Deputeti i PD-ës, Salianji shton se mohimi i Edi Ramës për ndërhyrjen në sistemin TIMS, e bën atë urdhërues të aktit të vjedhjes së të dhënave të qytetarëve.
“Mohimi i Edi Ramës për shqetësimin e ambasadës së ShBA për ndërhyrjen në sistemin TIMS, nxjerr zbuluar urdhëruesit e këtij akti! Ndërhyrja ka qënë me urdhër dhe për qellime qartësisht kriminale!”, -shprehet Salianji.
Për Salianjin, arrestimi i drejtorit ishte i vonuar por kjo nuk do të thotë që hetimi do të përfundojë me shkelësin e parë të drejtësisë. Ai shton se opozita do ti shkojë deri në fund hetimit parlamentar për të hedhur dritë mbi urdhëruesit e krimit kibernetik.
“Arrestimi i sotëm i vonuar nuk e shmang dot përballjen e Ervin Muçës dhe çdo shkelësi tjetër për tu përballur me drejtësinë por dhe me dëshminë në komision, për një akt që cënon në thelb sigurinë kombëtare! Ky është i pari, ne do ti shkojmë deri në fund hetimit parlamentar, për të hedhur dritë sidomos mbi urdheruesit e ketij krimi, shkroi Salianji.