
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një konferencë për gazetarët pas udhëtimit të tij në Gjermani ku mori pjesë në Kongresin e CDU-së (Unioni Demokristian i Gjermanisë).
Ish-kryeministri e ka paralelizuar këtë udhëtim me atë të viteve më parë kur sapo kishte ardhur në krye të PD dhe regjimi komunist ishte rrëzuar, fluturoi drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në një aktivitet politik të atëhershëm.
Në atë kohë Berisha takoi për herë të parë një kryeministër të huaj si një politikan i ri dhe më pas ai fitoi zgjedhjet në Shqipëri.
Mesa duket i njëjti fat do ta ndjekë edhe kësaj radhe, siç parashikon Berisha, i cili thotë se me daljen nga dënimi i narkoshtetit dhe takimin e pretendentit për Kancelar të Gjermanisë Friedrich Merz, Berisha parashikon të njëjtin fat që e ndoqi dhe atëherë.
“Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores. Natyrisht unë e kuptoj që ju keni kuriozitet të shpreh opinionin tim për këtë udhëtim, pra, ishte udhëtim drejt fitores.
Një koincidencë shumë interesante, kam qenë kryetar i PD 32 vjet më parë, kur jam nisur drejt kryeqytetit gjerman, në atë kohë ishte Boni, dhe nuk ishte kongresi i CDU-së, ishte një samit i OSBE-së, por Helmut Kohl do të ishte kryeministri i parë që unë do të takoja si politikan disamujor.
Historia përsëritet, në atë kohë pak muaj më parë kishim dalë nga izolimi komunist. Edhe kësaj herë, pak muaj më parë dola nga izolimi i narkodiktaturës. Atëherë fitova. Atëherë fituam zgjedhjet, PD fitoi zgjedhjet. Këtë herë, PD fiton zgjedhjet. Kjo është esenca.
Dhe unë mund t’u them demokratëve dhe shqiptarëve, se partia më e fuqishme e Europës, presidenti i të cilës merr në pak javë timonin e shtetit udhëheqës të Europës, Friedrich Merz, presin me padurim fitoren e PD.
Dëshirojnë fitoren e kësaj force politike si një forcë me të cilën ndajnë vlera të përbashkëta,” është shprehur Sali Berisha për gazetarët.