Lideri demokrat Sali Berisha ka folur për shpalljen e tij "non grata" apo "person i padëshiruar" nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke akuzuar sërish ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.
Sipas tij, Basha kishte shkuar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe selinë diplomatikë të "Rrugës së Elbasanit", ku kishte deklaruar se të gjitha vendimet i merrte Berisha.
“Por kjo nuk ishte e vërtetë, unë kisha një qëndrim: nuk ndërhyrja në asnjë rast, nëse nuk më pyesnin. Basha e kishte paraqitur veten kukull time. Ishte nga ata persona që kishte deklaruar në Departamentin e Shtetit dhe në Ambasadë se Sali Berisha ishte personi që i kishte diktuar të gjitha vendimet”, tha Sali Berisha në emisionin "Open".
Lideri demokrat akuzoi filantropin George Soros, duke theksuar se ai është njeriu që ka diktuar në shpalljen e vendimit për "non grata". Sali Berisha tregoi në studion e Eni Vasilit dhe një takim me ish-ambasadorin Donald Lu për Reformën në Drejtësi, vite më parë.
“Ia kam sqaruar duke i thënë që s’jemi Republikë Presidenciale dhe më ka falënderuar duke më thënë Sali më ke bindur”, u shpreh ai.