
Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi ka folur në lidhje me aludimet se sa shpenzoi qeveria Rama për takimin madhështor me shqiptarët në stadiumin Galaxy në Athinë.
Klosi i ka hedhur poshtë pretendimet e demokratëve se Rama ka shpenzuar para nga buxheti i shtetit apo taksat e shqiptarëve për të zhvilluar takimin. Sipas tij takimi me shqiptarët në Athinë për “Rienergjizimin e partisë” nuk ka pasur asnjë shpenzim, pasi janë takime të vullnetit të lirë të qytetarëve.
“Ka një qera të sallave të aktivitetit dhe ky është i vetmi shpenzim, asnjë shpenzim tjetër”, u shpreh Klosi duke shtuar se edhe këngëtarët të cilët i janë bashkuar këtj takimi ishin ofruar të performonin pa pagesë.
“Mesa di unë, në Greqi ishin falas. Që të mos bëjmë lajm, se nuk kam informacion, mesa di unë nuk ka asnjë faturë që paguan qeveria apo PS”, - tha Klosi.
Në lidhje me pjesëmarrjen e zyrtarëve, nëpunësve dhe të zgjedhurve nga Shqipëria, Klosi mohoi të ketë patur një organizim me urdhër nga qeveria apo PS.
“Nuk ka patur asnjë urdhër dhe pjesëmarrja nga Shqipëria nuk ishte e lartë. Më vjen habi që opozita mban këtë qendrim, por kështu tregon diferencën aq të madhe mes nesh si në Shqipëri, edhe në Greqi. Është kjo arsyeja që vazhdojnë të humbasin vota”, - u shpreh sekretar i Përgjithshëm i PS-së, Klosi.