
Kryedemokrati Sali Berisha ka kritikuar ashpër vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës sociale Tik Tok, teksa ka theksuar se ky është një akt i ngjashëm me ndalimin e lirisë së fjalës që ndodh në regjimet e Kabulit dhe Teheranit.
Berisha nuk la pa përmendur protestën që do të zhvillohet sot, në orën 19:00, teksa ftoi të gjithë të rinjtë t'i bashkohen protestës, duke theksuar se kjo është protesta më e rëndësishme e jetës së tyre për lirinë e fjalës.
Berisha ftoi po ashtu edhe kompanitë e internetit dhe telefonisë celulare të mos bëhen bashkëautore në këtë megacensurë, siç ai e quan, që e barazon Shqipërinë me Afganistanin dhe Teheranin.
Sali Berisha: Akti i Edi Ramës për mbylljen e Tik Tok është identik me vendimin e habitullahut të Kabulit dhe Ajetollahut të Teheranit për mbylljen e kësaj platforme të mrekullueshme. Edi Rama ka dhe një problem tjetër madhor në këtë qëndrim.
Ftoj shqiptarët të mos harrojnë se në gusht të vitit 1988, Kristaq Rama asokohe zëvendësi i Nexhmije Hoxhës dhe anëtar kryesor i presidiumit të Kuvendit Popullor, pra i Ramiz Alisë, firmos varjen në litar të poetit Havzi Nela për vargjet e tij kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së mendimit. Me aktin e tij, pas 37 viteve ndaj Tik Tok, Edi Rama dëshmon se po të ishin ligjet e vjetra, nuk do i dridhej dora të varte në litar njëlloj si i atij, njëlloj siç po vepron me Tik Tok, të gjithë ata që do e kritikonim dhe do kenin mendime ndryshe.
Por sot të rinjtë kanë një protestë të madhe dhe kjo është protesta më e rëndësishme e jetës së tyre për lirinë e fjalës. Ndaj dhe unë i përgëzoj ata dhe i garantoj se, me datën 12 maj Tik Toku do të lëshohet menjëherë.
Ftoj kompanitë e internetit dhe të telefonisë celulare të mos bëhen bashkëautore në këtë megacensurë që e barazon Shqipërinë me Afganistanin dhe Teheranin. Ndaj të bëjnë çdo përpjekje që ato vegla që ka blerë Edi Rama për të bllokuar Tik Tokun të mos funksionojnë.