
Kanë nisur punimet e Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS, ku në këtë mbledhje do të merret në pyetje ministri i Brendshëm Taulant Balla, ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit Ervin Muça dhe drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku.
Në nisje të mbledhje kryetari i Komisionit, njëherësh deputeti i PD, Ervin Salianji ka propozuar që mbledhja të mbahej me dyer të hapura, kërkesë e cila është rrëzuar dhe mbledhja do të mbahet me dyer të mbyllura.
Pjesë nga diskutimet:
Salianji: Është jetike, e domosdoshme për demokracinë që të ketë përballje të hapura, por për të mos bllokuar punën e komisionit kemi votuar që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, por siç e citoj vendimin e ndërmjetëm, pa patur nevojë për t’u pajisur me certifikata sigurie të deputetëve. Jemi në kushte të reja dhe vendimmarrja e kaluar nuk ishte e mundur për shkak se ministri i Brendshëm pretendoi se kishte informacion të klasifikuar, të hedhim në votim dhe të kthejmë në vendim të ri të ndërmjetëm, mbledhja me dëshmitarin e parë Taulant Balla ministër i Brendshëm, nuk ka në këndvështrimin tim që të jemi njohur me ndonjë dokument të klasifikuar propozoj që mbledhja të jetë e hapur (hidhet në votim).
Toni Gogu: Dëshmia e Ballës duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura. I kemi bërë kërkesë Këshillit të Rregullores për një sërë çështjesh. Filloni menjëherë nga dëgjimi i ministrit të Brendshëm, duke filluar në këtë mënyrë zyrtarisht hetimin dhe pa u zgjatur shumë në fjalë që populli i barazon me fukarallëk, me fukarallëk të këtij sistemi. Vazhdoni mbledhjen që kemi lënë përgjysmë me dyer të mbyllura.
Salianji: Kemi një vendimmarrje të re të ndërmjetme. Mbledhjet duhet të jenë të hapura për transparentë të plotë. Përballja dhe dhënia llogari të plotë. I kemi thirrur për të dhënë llogari. Çështja shqetëson qytetarët, partnerët. I keni bërë kërkesa Kuvendit, shpresoj të mos jenë truke për të penguar procesin, e dhimbshme që një parti politike doni të bojkotoni komisionin siç bëtë herën e kaluar. Kështu që kërkesat e mia si kryetar i komisionit me qejf do i ishin drejtuar komuniteteve fetare për t’ia mbajtur gjithsecilit mendjen në vend dhe lutje zotit që të jeni në këtë mbledhje më të qetë dhe të jeni në anën ligjit e moralit dhe jo të kundërt.
Kujtojmë se ditën e sotme ministri Balla iu drejtua me një shkresë Komisionit Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, duke thënë se informacionet që ai disponon lidhur me këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP).
Prandaj, për këtë arsye ministri kërkoi që mbledhja duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni.