Ministria e Financave ka marrë vendimin për të shtyrë miratimin e ligjit për rivlerësimin e pronave deri në vitin 2025, duke synuar të aplikohet një normë tatimore më e ulët.
Edhe pse ishte parashikuar që ky proces të hynte në fuqi në shtator, ministri i financave njoftoi në komisionin e veprimtarisë prodhuese se reforma për përcaktimin e referencave të reja të pronave në të gjithë vendin nuk ka përfunduar ende.
“Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do të kryhet njëkohësisht me përcaktimin e çmimeve të referencës për të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët. Ky është një proces që do të zgjasë gjatë vitit të ardhshëm me vendosjen e referencave të reja,” deklaroi ministri i financave Petrit Malaj.
Aktualisht, për një pronë që shitet paguhet një tatim prej 15% mbi diferencën midis vlerës së regjistruar dhe çmimit të shitjes. Me rivlerësimin, tatimi do të jetë më i ulët, me kryeministrin Rama që më parë ka sugjeruar një normë prej 5%, por ende nuk është përcaktuar shifra përfundimtare.