
Kreu i qeverisë, Edi Rama paraditen e kësaj të hëne nuk ka lëmë pa komentuar dhe videon e bërë një ditë më parë nga kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ku ky i fundit pyeste se ku ishte fshehur kryeministri.
Rama përmes kësaj video i ka kthyer përgjigje ish-kryetarit të Partisë Demokratike duke i thënë se është rrugës për Fier, por nuk ka “kursyer” as ironitë dhe as batutat për Bashën.
"Duke shkuar rrugës për Fier dhe më vjen kjo video nga Luli. Po mor Lul si mos pyes për ty na thave sytë mor zotëri. Po si thanë? Vdiq Luli. Vetëm unë se besova se di që je i pavdekshëm, stres zero, gjumi top, 7x7 bëjnë 42 dhe nu ke luan topi. Ku ka vdekje që të afrohet ti mor Lul.
Vetëm kur dole aty dhe the jam gjallë, mos thashë po rren”, tha Rama, teksa në vijim të kësaj video kishte shkëputur dhe një tjetër moment ku Basha i thoshte që ndodhet në Ali Dem, së bashku me Orjola Pampurin dhe demokratët euroatlantikë duke zhvilluar takim në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.
“I ndeze motorët hë? Po bravo mo Lul bravo. Po shyqyr mo Bravo Oriolës dhe euroatlantikëve që nuk të kanë lënë vetëm se misioni yt për të më larguar mua duhet të vazhdojë. Plus kushdo që vjen me ty fiton, edhe kur humb fiton. Prandaj forca”, thotë Rama, me nota ironie dhe humori.
“Aty ku më ke lënë Lul, aty sipër çadrës tënde. Ehh ça kohe ishte ti poshtë meje duke kënduar himnin kombëtar dhe unë sipër duke punuar me zërin tënd. Pastaj marrëveshje për të dalë krah për krah nga çadra me ballin lart, flokët si gjithmonë pik, dhe me atë xhepin tënd plot me mesazhet e dokut tënd që të çonte zemra në iphone”, vijon kryeministri.