Kryeministri Edi Rama ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, ku po merr pjesë në samitin e OKB-së, Cop 29 lidhur me ndryshimet klimatike.
Gjatë kësaj vizite, Rama është takuar dhe me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed.
Kreu i qeverisë bën me dije se me Bin Zayed kanë biseduar për ecurinë e mirë të disa projekteve të rëndësishme që po hyjnë në fazën e zbatimit, nga krijimi i kompanive të përbashkëta publike të prodhimit të energjisë (KESH-Mazdar) dhe shtypshkrimit të letrave me vlerë, linja e interkonjeksionit me Italinë në partneritet tripalësh, e deri tek sistemi i ri digjital i kontrollit të trafikut.
“Baku, Azerbajxhan - Mbrëmë me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, një mik i rrallë dhe dashamirës i madh i Shqipërisë, me të cilin folëm për ecurinë e mirë të disa projekteve të rëndësishme që po hyjnë në fazën e zbatimit, nga krijimi i kompanive të përbashkëta publike të prodhimit të energjisë (KESH-Mazdar) dhe shtypshkrimit të letrave me vlerë, linja e interkonjeksionit me Italinë në partneritet tripalësh, e deri tek sistemi i ri digjital i kontrollit të trafikut; zhvillime tejet të rëndësishme për forcimin dhe modernizimin e sektorit publik në Shqipëri, po edhe një pasqyrë kuptimplotë e forcimit domethënës të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara”, shkruan Rama.