Kryeminsitri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Gjermanisë, ku do të jetë i pranishëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Lajmin e konfirmoi vetë kryeministri përmes një video-mesazhi në rrjetin e tij social, Facebook.
Mësohet se Rama do të ketë një takim me kryeministrin e landit të Bavarisë, Markus Soder si dhe me drejtues organizatash dhe kompanish, që veprojnë në fushën e sigurisë kibernetike dhe asaj globale.
Rama do të jetë pjesë e panelit me temë “Përtej konfliktit: Vlerësimi i rrugëve dhe pengesave për paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme” bashkë me kancelarin e Austrisë dhe ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite.
Kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm edhe në panelin me temë “Zgjerimi i BE”, së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola dhe Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos.
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih (MSC) ka filluar sot në Gjermani, duke sjellë 150 liderë politikë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi sfidat më urgjente të botës.
Ata do të fokusohen në sfidat globale të sigurisë, duke përfshirë qeverisjen globale, qëndrueshmërinë demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.