
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama “Çelësin e Qytetit”.
Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij dhe tha se ndihet i nderuar që e mori “Çelësin”nga kreu i Prishtinës, kryeqytetit tjetër të shqiptarëve.
Gjatë fjalës së tij pasi mori në dorë “Çelësin”, Rama shtoi edhe një batutë duke thënë se tani është e sigurtë që mund të vij pa marrë leje se kam "Çelësin" me vete.
“I nderuar të marr çmimin “Çelësi i Qytetit” nga Përparim Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, kryeqytetit tjetër të shqiptarëve”,- shkroi Rama në Facebook.
Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në Kosovë, në një vizitë zyrtare në prag të festimeve për 25 vjetorin e çlirimit nga forcat serbe.
Gjatë kësaj vizite, Rama është pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, në nder të Presidentit, Ibrahim Rugova.
Pas kësaj, kryeministri është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ku diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.