
Kryeministri Edi Rama dhe zv. kryeministrja Belinda Balluku kanë zhvilluar një inspektim në një nga kantierët, e Korridorit VIII, ku po ndërtohen dy tunele të rëndësishëm me gjatësi 1,1 km secili dhe që do të lidhin Elbasanin me Librazhdin.
Gjatë fjalës së saj zv. kryeministrja Balluku u shpreh se në fund të muajit shtator pritet që të përfundojnë gërmimet, ndërkohë që pranverën e ardhshme do të mbarojë gjithçka.
Nga ana tjetër vetë kreu i qeverisë tha se ky kantier konsiderohet edhe i rëndësishëm si arterie që lidh shumë zona të vendit dhe shkurton kohën e udhëtimit.
Gjithashtu, kryeministri tha se si pjesë e projektit është dhe ndërtimi i dy urave të cilat lidhen direkt me tunelin.
“Në një nga kantieret më të rëndësishme të Korridorit VIII ku po ndërtojmë dy tunele me 1.1 km gjatësi që do të lidhin pjesën e Elbasanit me pjesën e Librazhdit, duke u kthyer në një arterie të rëndësishme të qarkullimit si dhe duke çliruar gjithë potencialin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave. Investimi pritet të përfundojë në fund të këtij viti, ndërkohë që pjesë e projektit është edhe ndërtimi i dy urave të cilat lidhen direkt me tunelin”, tha kreu i qeverisë.
I pyetur se nëse “do të shikohet dritë në fund të tunelit”, Rama tha: “kur kaluam Murrizin nuk pyesim më për vështirësi të tjera”, duke iu referuar kështu problemeve dhe vështirësive gjeologjike.