
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë mbrëmje një takim me banorët e Kasharit ndërsa gjatë fjalës së tij nuk kanë munguar brohoritjet, fishkëllimat dhe batutat. Kreu i qeverisë ju drejtua një të riu i cili po fishkëllente në mbështetje të tij që të pushonte.
"O zogu na mbyte me atë fishkëllimë, na myte mo burrë. Ç’paske qenë, do jesh në atë nxehtësinë e dashnisë që fishkëllen e fishkëllen, po nuk dëgjon kanarina, po na myte mor, apo e ke nga BE dhe ti."-tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka "thumbuar" nga Kashari Belind Këlliçin, për të cilin tha me ironi se është aristokrat.
Rama e bëri këtë deklaratë pas komenteve nga kampi opozitar se Rama bën vetëm tallava me qytetarët, referuar rasteve kur gjatë fushatës kryeministri kërcen dhe këndon me qytetarët. Kreu i qeverisë u shpreh se opozita është tallava tralala.
Rama i tha qytetarëve se është fare e thjeshtë për të kuptuar se kush është opozita e cila kërkon të vijë në pushtet duke përmendur vitin 1996, vitin 1997, tragjedinë e Gërdecit dhe vrasjet e 11 Janarit 2011.
Ndër të tjera Edi Rama tha se në kampin opozitar që e quan kënetë, mund të gjesh kukumjaçka, zhapikë e bretkosa.