Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbrëmjen e sotme ka mbajtur një takim me Grupet e Punës së Tiranës , ku mbajti dhe fjalën e tij.
Tani që Berisha është i lirë, është i vendosur të organizojë protestën e madhe kombëtare kundër qeverisë Rama. Ai ka bërë thirrje për bashkim dhe forcimin e ekipit elektoral të PD-së, duke e cilësuar këtë betejë si më të rendësishmen në historinë e partisë.
Sali Berisha beson se ashtu si ra Damasku me Bashar Al-asad, do bier edhe Tirana me Edi Ramën.
“Kjo betejë kërkon që ne pandërprerë të trokasim në dyert e qytetarëve të Tiranës. Të baltosemi nga këpucët në rrugët dhe rrugicat e këtij qyteti.
Ka një mekanizëm, një faktor i provuar në të gjithëra kohëra si faktor suksesi dhe ky është takimi me njerëzit.
Kanë rëndësi të gjitha të tjerat, kanë rëndësi ekranet, debatet, mediat sociale.
Por në raste të caktuar, p.sh po të ishte për mediat, Kamala Harris fitonte me 80 përqind garën me presidentin Donald Trump se makineri më gjigante në botë se ajo makineri mediatike nuk mund të ketë.
Por fitimtarët e fituan me takime, e fituan me takime intensive me qytetarët amerikanë.
Nuk u ankuan, shumë të rralla ankesat, megjithëse absolutisht pothuajse mediat në tërësi ishin kundër tyre.
Pse unë marr shembull? Duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjithë ata që ndjekin fushatën elektorale, fushata që prin në botë me risitë e veta është fushata në SHBA.
Është ajo fushatë që ka setin e risive dhe që ato përhapen në vendet tjera. Për shembull bënte fushatë Barak Obama me MekKein, ajo fushatë solli përgjigjen flakë për flakë. Në qoftë se ishte para saj përgjigjja ti flisje sot, ai përgjigjej nesër, u kalua te përgjigja e menjëhershme, e shpejtë. U gjet pastaj se vetëm përgjigja flakë për flakë ishte përgjigja që anulonte ose zvogëlonte në maksimum efektin e deklaratës së kundërshtarit.
Në këtë rast, risi ishte mësimi i madh se si u shemb gjiganti mediatik, të themi 80 me 20, ndoshta edhe më shumë se 80 ishin në krahun tjetër.
Ndaj dhe asgjë nuk mund të zëvendësohet, nuk ka gjë më të rëndësishme se t’i trokasësh tjetrit në derë, të ulesh për të pirë në kafe, se sa t’i trokasësh në dyqan dhe të hysh të bisedosh, t’i dorëzosh një copë fletushke me pesë gjëra që ti mendon.
Kështu që pra, mbetet të fillojmë sulmin elektoral, i cili ndalon vetëm me datën 11 maj, ditën e fitores.
Në këtë fushatë, boshti qendror, duhet ta kemi secili nga ne të qartë, i fushatës do jetë ekonomia, ekonomia, ekonomia.
Pse? Sepse jemi në një realitet që tejkalon absolutisht pothuajse çdo lloj imagjinate.
Jemi në një realitet shumë të dhimbshëm.
Jemi në një realitet shkatërrimtar për njerëzit.
Këto ditë po lexoja një gjë shumë trishtuese. Në vitin 2013, ne paguheshim, shqiptarët paguheshin jo vetëm më shumë se vendet e Ballkanit Perëndimor, por dhe se rumunët dhe bullgarët.
Sot rumunët janë të paktën 5 herë më mirë se në vitin 2013. Dje e lexova. Pesëfishuar rrogat nga viti 2013.
Kur sheh këto, konstaton se asgjë nuk ka më të pamëshirë, më kriminale se kjo që ka ndodhur për jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.
Nuk e dija, ua them me sinqeritet, që qeveria rumune nga viti 2013 gjer vitin e kaluar, ka rritur rrogën 5 herë.
Kurse ne i kemi pensionet sot, minimumi 30 përqind më të ulëta se në vitin 2013.
Sot po lexoja, të dhënat e INSTAT tregojnë se inflacioni për gjërat bazë është gjer në 9 herë më i lartë se inflacioni mesatar. Pra, inflacioni i mishit, djathit, qumështit, etj, krahasuar me vitin 2022, arrin shifra gjer 9 herë më shumë.
Mirëpo, të gjithë ata që jetojnë me pension, me rroga të ulëta, me ndihmë ekonomike, ato të ardhura u shkojnë për të blerë këto gjëra.
E kuptoni pra se ku është katandisur?
Kjo është shkaku absolut i largimit masiv të shqiptarëve.”