Aktivistët e Lëvizja Bashkë kanë protestuar sot në dyert e Ministrisë së Ekonomisë në lidhje me vendimin e fundit të qeverisë shqiptare për indeksimin e pensioneve me 4.1 përqind. Thënë ndryshe një i moshuar që merr 100 mijë lek te vjetra në muaj, do të përfitojë rritje 4 mijë lek të vjetra.
Me ushqime bazë të shportës në duar, si simite, oriz, vaj luledielli dhe qumësht, ata e kanë konsideruar tallje vendimin e fundit të indeksimit të pensioneve.
“11 deri në 23 lekë në ditë është rritja për shumicën dërrmuese të pensionistëve, të cilët ende sot marrin pensione shumë më të ulëta se minimumi jetik, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet e fundit në Evropë për nivelin e pensioneve. Qeveria e Edi Ramës nuk mund t'i rrisë dot pensionet”, thuhet në deklaratë.
Më tej, lëvizja bashkë evidenton se një qeveri që vjedh popullin nuk mund të rrisë pensionet. Sipas kryetarit Arlind Qorri qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk mund të mbushë llogaritë bankare të oligarkëve, kurse në anën tjetër të mendojë për të moshuarit.
Këshilli i Ministrave ka miratuar dy ditë më parë vendimin për indeksimin e pensioneve me 4.1%. Duke filluar nga 1 tetori 2024, pensionet do të indeksohen me 4.1% bazuar në llogaritjen e INSTAT të indeksit mesatar vjetor të muajit gusht 2024, për mallrat e shportës për pensionistët.
Nga rritja do të përfitojnë rreth 791,257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta.
Deklarata e plotë e Lëvizjes Bashkë për protestën para Ministrisë:
Sot aktivistët e Lëvizjes BASHKË iu bashkuan përfaqësuesve të pensionistëve dhe minatorëve për të denoncuar talljen qeveritare me indeksimin e fundit të pensioneve. Përpara Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit pensionistët dhe aktivistët e Lëvizjes BASHKË shprehën indinjatën e tyre dhe vendosën në dyert e saj qindarkat me të cilat po i nëpërkëmb qeveria.
11 deri në 23 lekë në ditë është rritja për shumicën dërrmuese të pensionistëve, të cilët ende sot marrin pensione shumë më të ulëta se minimumi jetik, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet e fundit në Evropë për nivelin e pensioneve.
Qeveria e Edi Ramës nuk mund t'i rrisë dot pensionet. Nuk mundet edhe të vjedhësh popullin, edhe të rritësh pensionet. Nuk mundet edhe të mbushësh çdo vit llogaritë bankare të oligarkëve me qindra miliona dollarë, edhe të rritësh pensionet.
Nuk mundet edhe të kesh ortakë evazorët e mëdhenj fiskalë, edhe të rritësh pensionet. Nuk mundet edhe të krenohesh me mungesën e sindikatave dhe punën në të zezë, edhe të rritësh pensionet.
Vetëm Lëvizja BASHKË ka programin, kapacitetin qeverisës dhe ndershmërinë qytetare për të transformuar rrënjësisht mënyrën e qeverisjes dhe për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare, duke krijuar kushtet për rritjen e pensioneve, duke nisur nga dyshemeja e minimumit jetik. I ftojmë të gjithë pensionistët t'i bashkohen aksionit tonë politik për të kërkuar pensione të dinjitetshme.