Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën me dije se ka vendosur të dërgojë dy anëtarë për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Antikorrupsionin, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Ata janë anëtarja e zgjedhur nga shoqëria civile në Qeverinë e Prokurorëve, Arta Mandro dhe prokurori Vatë Staka.
Mbledhja ka qenë e paralajmëruar që në muajin gusht, më datë 16, në prezencë të 8 anëtarëve, përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Misioneve OPDAT dhe EU4 JUSTICE dhe medias.
Ndërkohë, në mbledhjen e fundit e cila ka qenë informale, shërbimet e KLP-së njoftojnë se anëtarët kanë vendosur që ky institucion të përfaqësohet në Komisionin "Xhafaj" me dy anëtarë nga radhët e veta.
Vendimi është marrë ditën e hënë më datë 30 Shtator dhe njoftohet vetëm sot, katër ditë më pas për shkak të interesit të lartë të medias, njofton Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Arta Mandro anëtare jo prokurore dhe Vatë Staka anëtar prokuror do të përfaqësojnë Qeverinë e Prokurorëve.
Institucioni thekson se pas kësaj mbledhje dhe vendimit që është marrë, nuk ka pasur zhvillime të tjera dhe as pjesëmarrje në komisionin që ka marrë emrin "Komisioni Xhafaj", për shkak se politikani i lartë socialist është zgjedhur të drejtojë deputetët që do të rishikojnë reformën në drejtësi.
Komisioni "Xhafaj" është anatemuar që në nisje të punës së tij nga opozita dhe aktorë të rëndësishëm publikë, pasi siç është deklaruar publikisht, mendohet se pas tij fshihen qëllime të tjera që synojnë prekjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Selitë diplomatike që veprojnë në Tiranë i kanë tërhequr vëmendjen mazhorancës për këtë komision, ndërsa disa institucione të rëndësishme si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kanë refuzuar të marrin pjesë.