
Partia Socialiste duket se ka ndezur “motorët” e fushatës për garën për Bashkinë e Himarës, ku kandidon Vangjel Tavo.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Vlorë, Blendi Klosi ka postuar në rrjetet sociale dhe foto nga takimi që ka mbajtur ditën e sotme asambleja e PS në Himarë.
Klosi shkruan se strukturat e socialistëve janë gati për zgjedhjet e 4 gushtit dhe se janë besimplotë se Tavo do i fitojë bindshëm në këto zgjedhje.
“Me Asamblenë e Partisë Socialiste Himarë. Strukturat tona janë gati për zgjedhjet e 4 gushtit ku jemi besimplotë që kandidati jonë Vangjel Tavo do marrë një fitore bindëse për drejtimin e bashkisë.
Fokus i diskutimit ishte edhe zhvillimi i Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste në datë 27 korrik. Kongresi do të zgjedhë Asamblenë e re Kombëtare si edhe do të trajtojë edhe një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme në vend për të projektuar punën për programin e mandatit të katërt qeverisës në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”.
Partia Socialiste është e vetmja forcë politike transformuese e vetëvetes me synim suksesin në çdo garë elektorale”, shkruan Klosi.
Kujtojmë që pak më herët ka folur edhe Vangjel Tavo. Gjatë fjalës së tij Tavo u shpreh se problemi më i madh i himariotëve janë pronat, për të cilat tha se është angazhuar dhe premtoi që në muajin shtator do të jenë pajisur me certefikatë të gjithë banorët e Himarës.
“Problemi kryesor është regjistrimi i pronave dhe për këtë jam angazhuar që ditën e parë që kam ardhur në Vlorë dhe jam në një pozicion që e them me kënaqësi se janë shpërndarë 1226 certifikata dhe janë gati shumë të tjera të shpërndahen dhe them që asnjë qytetar nuk do të mbetet pa marrë certifikatën e pronësisë, ky është premtimi i kryeministrit por edhe i imi”, tha Tavo, teksa theksoi se do të shpërngulet në Himarë për të qenë sa më afër banorëve dhe shqetësimeve të tyre.
‘‘Ndihem i nderuar të kandidoj për kryetar bashkie në Himarë. Unë do të shpërngulem në Himarë sepse jam akoma në Vlorë por do të jem çdo ditë në kontakt me njerëzit. Kryetari i Bashkisë ka angazhime me komunitetin.
Problemi kryesor është regjistrimi i pronave dhe për këtë jam angazhuar që ditën e parë që kam ardhur në Vlorë dhe jam në një pozicion që e them me kënaqësi se janë shpërndarë 1226 certifikata dhe janë gati shumë të tjera të shpërndahen dhe them që asnjë qytetar nuk do të mbetet pa marrë certifikatën e pronësisë, ky është premtimi i kryeministrit por edhe i imi. Këtë nuk e them për fushatë sepse këtu ka shumë probleme të cilat duhen rregulluar, por kjo është një çështje që unë e veçoj nga fushata elektorale”, shtoi ai.