
Kryeministri Edi Rama ka folur pasditen e sotme nga Dibra për sistemin e drejtësisë në vend, SPAK-un dhe drejtuesin e saj, Altin Dumani. Kreu i qeverisë komentoi edhe arrestimet e deputetëve dhe ministrave të Partisë Socialiste. Kryeministri i vendit theksoi se Partia Socialiste i ktheu "shpatën e ndëshkimit" drejtësisë.
Edi Rama i qëndroi thirrjeve të tij ndaj SPAK për të goditur majtas e djathtas, ndërsa shtoi se për majtas, e ka fjalën për Partinë Socialiste.
"Ju në Dibër këtu keni dhe atë drejtuesin e SPAK-ut, që dua ta sjell në vëmendje për një arsye. Altin Dumani, meqë është i zonës, ka qenë prokuror për shumë vite.
Po ky ka qenë nga Dibra, i ndershëm, i zoti, i papërzier me asgjë tjetër veç punës së vet, por e kishit dëgjuar ndonjëherë Altin Dumanin që të thërriste ndonjë person të njohur për pyetje?
Jo. Por si u bë i fortë Altin Dumani? U bë i fortë sepse ne bëmë atë që s’ka bërë asnjë forcë qeverisëse që nga 1912.
Ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit që i takon drejtësisë. Është për të vënë duart në kokë kur ngrihen e thonë: ‘Si mund të votoni PS se gjysma janë në burg?!’.
Sepse nëse sot ju e shihni që mund të ketë barazi para ligjit në Shqipëri, këtë e bëri PS-ja. Kur thoja që ne duam një drejtësi që të shohë drejt dhe të godasë majtas dhe djathtas, për kë e kisha unë të godiste majtas? Për Noc Rrokun? Për ne pra, ne ishim majtas.”-tha Rama.