Protesta e djeshme e zhvilluar para Bashkisë së Tiranës nga Opozita, nuk ka kaluar pa pasoja për disa nga pjesëmarrësit. Policia ka bërë me dije se janë proceduar në gjendje të lirë disa shtetas të cilët kanë konsumuar veprën penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Gjithashtu, referuar njoftimit të policisë, është proceduar penalisht, po në gjendje të lirë edhe Adriana Kalaja. Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike është proceduar për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”.
Në njoftimin e policisë thuhej:
Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:
- D. B., 27 vjeç, R. D., 19 vjeç, A. P., 46 vjeç, K. B., 21 vjeç, S. L., 68 vjeç, S. B., 48 vjeç, G. S., 53 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, E. K., 22 vjeç, T. B., 39 vjeç, K. B., 34 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale "Prishja e qetësisë publike" dhe "Shkatërrimi i pronës";
- A. K., 59 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale "Thirrjet publike për veprime të dhunshme".
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.