Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nga foltorja e Kuvendit edhe një herë ka akuzuar vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama për përfshirjeje në trafikun e drogës.
Bardhi tha se Rama duhet të ishte në Kuvend në një interpelancë për të dhënë llogari në lidhje me këtë çështje.
Kryetarja e Kuvendit i ka ndërprerë fjalën, Gazment Bardhit, duke thënë se në lidhje me këtë çështje duhet të presë vendimin e SPAK.
Pjesë nga debati:
Bardhi: Zonja kryetare hiqe nga fjalori kërcënimin se do të ndërpresë fjalën sepse nuk i shkon kryetares së Kuvendit. Së dyti, nuk e di çfarë quanin veprimtari shtetërore, por për mua trafiku ndërkombëtar i drogës është çështje prioritare. Veprimtaria e agjencive sekrete të huaja është çështje shtetërore. E kuptoj që trafiku ndërkombëtar i drogës për Edi Ramën është çështje private. Se nëse familjar të tu janë të përfshirë në trafik droge, pa dyshim që luftën ndaj trafikut të drogës nuk e konsideron veprimtari shtetërore.
Nikolla: Lironi foltoren! Do vazhdojmë me rendin e ditës! Rri prit me qetësi vendimin e organeve të drejtësisë nëse ke shpifur apo jo. Tani na lë të vazhdojmë.
Bardhi: Duhet të vijë ai, të mos fshihet pas teje. Frikacakë. Të vijë ai të japë llogari.