
Në prag të zgjedhjeve në Kosovë, Princ Leka ka përcjellë një mesazh për qytetarët, duke i inkurajuar që të marrin pjesë në votime dhe të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj proceseve demokratike.
Ai ka vlerësuar fushatën zgjedhore të zhvilluar nga partitë politike dhe ka theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Kosovës.
Sipas tij, pjesëmarrja aktive në zgjedhje është një dëshmi e qartë e stabilitetit dhe seriozitetit të Kosovës si një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve ndërkombëtarë.
Reagimi i plotë:
Të dashur bashkëkombas,
Në këtë prag zgjedhjesh në Kosovë, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia dhe të përgëzoj të gjitha partitë politike për fushatën e deritanishme.
Më lejoni t’ju drejtohem me një thirrje të sinqertë: Ushtrojeni të drejtën tuaj për të votuar! Pjesëmarrja në zgjedhje dhe votimi janë ndër mënyrat më të rëndësishme për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë për vendin.
Gjithashtu, kjo është një mënyrë për të shprehur mirënjohjen tonë, një nga virtytet që na karakterizon, për ndihmën e vazhdueshme dhe për të dëshmuar se dimë të ndërtojmë një shtet të fortë mbi vlera demokratike. Po ashtu, tregon se jemi një partner i besueshëm për miqtë tanë ndërkombëtarë, me SHBA-në në krye, së cilës historikisht ne si shqiptarë ia dedikojmë vetë ekzistencën tonë kombëtare.
Le ta kthejmë këtë ditë në një festë të demokracisë, duke dëshmuar edhe një herë pjekurinë dhe përgjegjësinë tonë qytetare, ashtu siç kemi bërë gjithmonë dhe ashtu siç na bën krenarë kudo.
Vëllazërisht,
Leka II
View this post on Instagram