Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të bëjë një vizitë dy-ditore në Gjermani me ftesë të homologut të tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Begaj do të zhvillojë një takim kokë më kokë të mërkurën e 19 qershorit me Frank-Walter Steinmeier. Fokusi i bisedimeve midis dy krerëve të shteteve respektive do të jenë marrëdhëniet bilaterale midis vendeve, bashkëpunimet në fusha të ndryshme, procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu do të diksutohet edhe prezenca e Berlinit dhe roli i saj në BE për përafrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor me Unionin si dhe çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, që lidhen me fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në një kohë që tensionet në botë sa vijnë e përshkallëzohen dhe gjithçka mbetet e pasigurtë.
Kreu i shtetit, Begaj do të udhëtojë më pas drejt Hamburgut, ku do të takohet me tifozët kuq e zi në “Volksparkstadion” si dhe do të ndjekë nga afër përballjen e Shqipërisë me Kroacinë në ndeshjen e Europianit 2024, e cila do të zhvillohet në orën 15:00 të së mërkurës.
Pas përfundimit të ndeshjes, Presidenti Begaj do të pritet në një takim zyrtar nga kryetari i këtij landi, Dr. Peter Tschentscher.
Në axhendën e publikuar të Presidentit Begaj është edhe takimi me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, zotin Manuel Sarrazin, si dhe me ish-raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein.