Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e Ernal Filo, si ambasador të Shqipërisë në Ukrainë. Shqipëria nuk ka pasur më herët një ambasador në Ukrainë, ndërsa tani këtë post do e mbajë Ernal Filo. Më parë, raportet diplomatike mes Shqipërisë dhe Ukrainës mbuloheshin përmes Ambasadës së Shqipërisë në Poloni, ku ambasadori rezident mbulonte edhe Ukrainën.
Ernal Filo, një nga diplomatët me përvojë në Ministrinë e Jashtme, shërben për politikën e jashtme që prej vitit 1997.
Më 29 maj, Komisionin për Politikën e Jashtme zhvilloi një seancë dëgjimore me Ernal Filo, i cili u shpreh se “Propozimi për të hapur për herë të parë përfaqësinë e Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe situata faktike në të cilën ndodhet Ukraina, tregojnë se vendi ynë po i jep rëndësinë e duhur vendeve dhe rajoneve që sot janë në qendër të fokusit diplomatik ndërkombëtar dhe që përbëjnë një çështje sa kritike, aq edhe sfiduese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”.
“Gjykoj se situata në të ardhmen mund të jetë me përfitime për ne dhe këtu kam parasysh angazhimin që mund të ofrojmë së bashku me vende të tjera të rajonit, ku kompanitë tonë të mund të përfitojnë nga fondet e rindërtimit të qyteteve të shkatërruara të Ukrainës kur të përfundojë lufta dhe kur Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për dëmet ekonomike dhe humbjen e civilëve të pafajshëm”. – mësohet se është shprehur Filo në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme.
Emri i tij mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Komisionit për Politikën e Jashtme, si nga mazhoranca ashtu dhe opozita.