Hapësire reklamuese

Politikë

"Prehu në paqe i dashur Qazim", Edi Rama mesazh ngushëllimi për ikjen e "Lalës"

Shkruar nga Newsbomb
"Prehu në paqe i dashur Qazim", Edi Rama mesazh ngushëllimi
FotoMontazh: Edi Rama dhe Qazim Sejdini

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Qazim Sejdinit, kryebashkiaku që drejtoi për tre mandate me radhë Bashkinë e Elbasanit. Ai mbylli sytë sot në moshën 73 vjeçare, pas betejës me një sëmundje të rëndë.

Një elbasanlli të mençur e fjalëpakë, burrë zotni që bëri shumë miq në jetën e tij, e quan Edi Rama për "Lalën" e Elbasanit.

"Mik. Elbasanlli i mençur e fjalëpakë. Kryebashkiak i mirë dhe burrë zotni. La një gjurmë në historinë e qytetit dhe një kujtim të mirë tek shumë miq që bëri në jetën e tij pa zhurmë. Prehu në paqe i dashur Qazim", thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryeministrit Edi Rama.

Për vizionin dhe koherencën që tregoi gjatë drejtimit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinin e thërrisnin dhe "Lalë". Ai nuk bëri asnjëherë dallime partiake gjatë drejtimit të qytetit, duke punuar bashkë, me të majtë dhe të djathtë, në shërbim të elbasanllinjve.

Qazim Sejdini u kthye në një nga figurat më popullore të Elbasanit, pasi e drejtoi bashkinë për 12 vjet nga viti 2007 deri në vitin 2019, duke shënjuar rrugën e tij me nisjen e një transformimi të rëndësishëm që u pasua dhe nga kryebashkiaku i ri, socialisti Gledian Llatja.

Ai ishte në gjendje të ngritje një karrierë politike si askush tjetër, mbi male akuzash politike dhe herë-herë mediatike, të influencuara nga interesa të caktuara. Qazim Sejdini u vlerësua edhe sa ishte gjallë për hijeshinë dhe emrin që i dha qytetit, duke e rreshtuar atë krah më të mirëve të Shqipërisë.

Sëmundja e rëndë nga e cila vuante e largoi atë nga detyra publike dhe banorët e Elbasanit, të cilëve u shërbeu me devotshmëri më shumë se një dekadë. Pavarësisht guximit dhe kurajos së madhe madhe që ai kishte, fatkeqësisht sot familja ka njoftuar vdekjen e Qazim Sejdinit.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese