
Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë dhe ish-drejtues i Agjencisë për Menaxhimin e Fondeve të BE, është prangosur këtë të enjte me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Ai akuzohet se ka përdorur një rrjet bashkëpunëtorësh, duke keqpërdorur fondet e dedikuara nga Bashkimi Europian për Shqipërinë.
Ai është cilësuar si një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Edi Rama, në qeverisje por edhe gjatë kohës që nuk është përfshirë në politikë aktive, pasi u largua nga posti i ministrit.
Politikani demokrat Belind Këlliçi, thotë se arrestimi i sotëm i Ilir Beqaj "ishte dhurata ditëlindjes e Erion Veliajt për Edi Ramën...". Sipas tij, mes kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Prokurorisë së Posaçme ka nisur një luftë e fortë.
Një ndër viktimat e para të kësaj lufte, siç ka aluduar dhe më parë Belind Këlliçi, është dhe ish-ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Rama 1.
Për të përforcuar më tepër këtë qëndrim të tijin, politikani demokrat ka thënë pak ditë më parë - gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës, nën zyrën e kryebashkiakut -, se kryeministri Edi Rama i ka dhënë urdhër SPAK që të bllokojë pasaportën e Erion Veliaj.
“Erion Veliaj, sot që flasim, në orën 4 të mëngjesit, e kanë parë qytetarët në avion duke u larguar nga Shqipëria. Pse?! Sepse ka një debat dhe një luftë të egër në ditët e fundit, midis SPAK-ut, Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Nga njëra anë është Edi Rama që ka dhënë urdhër të bllokohet pasaporta e Erion Veliaj, për të mos e spiunuar Erion Veliaj, Edi Ramën, nëpër kancelaritë evropiane.
Nga ana tjetër është Arben Ahmetaj që i bën ftesë sot në Zvicër të shkojë dhe të bëhet “pentito” dhe të flasë njësoj si Arben Ahmetaj. Ne nuk tërhiqemi! Qoftë Erion Veliaj sot tek Arben Ahmetaj sot në Zvicër, a e zbaton apo jo Altin Dumani, urdhrin e Edi Ramës, për ne pak rëndësi ka. Për ne rëndësi ka që taksat e qytetarëve t’i mbrojmë çdo ditë. Për ne rëndësi ka që Erion Veliaj të shkojë para drejtësisë", ka thënë një javë më parë Belind Këlliçi.
Muaj e fundit, për shkak të aferave korruptive në Bashkinë e Tiranës, veçanërisht prangosjes së drejtorëve të Erion Veliaj për inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe dosjes "5D", ka pasur raporte mediatike dhe deklarata publike të analistëve të njohur, se marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe Erion Veliaj janë në momentin e tyre më të keq.
© Newsbomb.al