
Besimtarët e krishterë dhe ortodoksë në mbarë vendin kremtojnë festën më të rëndësishme të kalendarit të tyre, Pashkën.
Ndërkohë, krerët e politikës kanë uruar të gjithë besimtarët për lëtë ditë të shenjtë.
Kryeministri Edi Rama ka uruar këtë ditë, teksa ka ndarë në rrjetet sociale foton e një fëmije që mban një qiri në dorë të shoqëruar me shkrimin: "Për shumë vjet Pashkët".
Kryedemokrati Sali Berisha ka përcjellë gjithashtu urimin e tij për besimtarët, ndërsa nuk la pa përmendur zgjedhjet e 11 majit. Berisha tha festa e Pashëkve, i ka gjetur besimtarët shqiptarë para një zgjedhje historike me datën 11 maj, duke iu bërë thirrje atyre të votojnë për "ngjalljen e shpresës".
“Të dashur miq, sonte besimtarët e krishterë shqiptarë dhe të mbarë botës festojnë Pashkën, ringjalljen e Krishtit Mbret. Pashka, dita e ngjalljes së Hyjit është per çdo njeri, për të gjithë besimtarët ditë e pavdeksisë, e besimit të madh tek Zoti, te mirësia dhe gjithëfuqia e tij. Vetishëm Pashka është ditë e shpresës së pashuar, e frymëzimit të njeriut nga vlerat hyjnore dhe njerëzore dhe në një të ardhme më e mirë. Ajo i ka gjetur kësaj rradhe Shqipërinë, besimtarët e krishterë shqiptarë dhe miqtë e tyre të besimeve tjera para një zgjedhje historike me datën 11 maj. Duke ju uruar të gjithë besimtarëve të krishterë këtë ditë të shenjtë, ju ftoj të dashur miq t’i lutemi Zotit që të bekojë shqiptarët në Shqipëri, diasporë dhe kudo që janë dhe votën e tyre për ndarjen nga pushteti i të keqes që po boshatis Shqipërinë, dhe ngjalljen e shpresës dhe të ardhmes për shqiptarët. Uroj nga zemra që Pashkën tjetër më mirë ta festojmë! Gëzuar!”, shkruan Berisha.
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka uruar besimtarët e krishterë me rastin e Pashkëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se Pashkët janë një thirrje për dashuri, solidaritet dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit.
"Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë të krishterë, në këtë kremtim të shenjtë të Ringjalljes së Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra: Për shumë vjet Pashkët! Kjo festë e bekuar na kujton se pas çdo sakrifice vjen drita, dhe pas çdo vështirësie lind shpresa. Pashkët janë një thirrje për dashuri, solidaritet dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit. Le të frymëzohemi nga forca e besimit dhe të kemi shpresë se ndryshimi është i mundur – për veten, për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë. Drita e shpresës dhe e kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!", ka uruar Basha.