Hapësire reklamuese

Politikë

Politika ka nevojë për idetë dhe energjitë e të rinjve

Shkruar nga Newsbomb
Politika ka nevojë për idetë dhe energjitë e të rinjve
Elton Rroshi

Elton Rroshi është kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit, në Qarkun e Tiranës, për Partinë Agrare Ambientaliste, pjesë e koalicionit opozitar “Shqipëria e Madhërishme”. Ai thotë se zgjodhi të bëhet pjesë e Partisë Agrare Ambientaliste, sepse shikon aty partinë që mishëron interesat dhe mbështetjen për njerëzit e punës, bujqësinë, biznesin, turizmin dhe mjedisin.

-Z.Rroshi, përse u futët në këtë garë dhe përse me PAA?

-Unë nuk kam ego për të bërë karrierë në politikë, por u përfshiva sepse dua të jap kontributin tim për qytetin e Kavajës, por jo vetëm. Dhe për këtë zgjodha ti bashkohem PAA-së, sepse unë kam njohje me shumë njerëz që drejtojnë dhe kontribuojnë në këtë parti. Unë kam respekt për ta, i vlerësoj për seriozitetin dhe integritetin si politikanë dhe si njerëz. Por mbi të gjitha, për fokusin që ka kjo parti në mbështetje të fermerëve, mjedisit, biznesit dhe njerëzve të punës në përgjithësi.

-Nga sa ka krijuar perceptimin deri tani, sa janë shanset që të marrësh mandatin e deputetit?

-Askush nuk mund të jetë me sigurinë e plotë. Unë do të përpiqem maksimalisht, do të flas me sa më shumë njerëz, tu shpjegoj atyre idetë dhe programin e PAA-së dhe koalicionit politik të cilit i përkasim. Unë nuk mendoj se unë apo ne do të fitojmë sepse mazhorancës iu bë shumë kohë në pushtet dhe ata duhet të ikin tani. Unë mendoj se ne duhet të tregojmë se kemi një program më të mirë, kemi projekte konkrete për të mbështetur fermerët, punëtorët, sipërmarrësin e vogël dhe të madh. Ne duhet të tregojmë se do të qeverisim më mirë dhe më drejtë. Njerëzit duhet të na votojnë dhe besoj se do të na votojnë, pikërisht për këtë.

-A është PAA grupimi politik i duhur për të realizuar këtë ambicie?

-Unë e thashë që nuk kam ndonjë ëndërr që të bëhem deputet. Unë dua të kontribuoj dhe, po, PAA është një parti që ma jep këtë mundësi. Kjo edhe për faktin se ajo ka një bazë të konsoliduar votuesish edhe në qytetin tim. Në Këshillin Bashkiak të Kavajës janë 3 këshilltarë të kësaj partie e cila në zgjedhjet vendore mori mbi 2500 vota. Mbi të gjitha, unë dëshiroj që të matem me besimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve. Më pëlqen ti takoj ata në rrugë, në vendin e punës, në arat ku punojnë, në dyqane, në kantiere ndërtimi. Është shumë e rëndësishme që ata të kuptojnë se deputeti i tyre nuk do të jetë një njeri që do ta shikojnë vetëm nga televizori, por një njeri që është si ata, punon si ata dhe dëshiron më të mirën për veten dhe familjen e tij si ata. Dhe unë këtë jam duke bërë.   

-Tirana është një qark i madh dhe gara gjithashtu është e fortë, si mes kandidatëve opozitare është dhe ata të mazhorancës…

-Epo kjo është gara, secili do të konkurrojë me idetë e tij. Unë mendoj se mandati i deputetit nuk është pronë që dikush e hipotekon dhe e ka për tërë jetën, apo e trashëgon tek familjarët. Unë mendoj se parlamenti ka nevojë për zëra të rinj, ka nevojë për njerëz, ide dhe energji të reja. Dhe në fund unë mendoj se qarku i Tiranës, ashtu siç ka garën më të fortë, ka edhe mundësitë më të mëdha. Unë jam futur në këtë garë për të dhënë maksimumin dhe do ti jem mirënjohës PAA-së për këtë mundësi.    

-Ditët e fundit shumë portale kanë sulmuar vendimin tënd për të kandiduar. Si e keni parë këtë?

-Unë nuk kam bërë një jetë publike e nuk isha mësuar me këto gjëra, kështu që u befasova. Por meqë vendosa të hy në politikë po e pranoj se kjo është politika në këtë vend, kush të sulmojë e shpifë ndaj njëri-tjetrit. Por ajo që më bën përshtypje është arsyeja. Unë sulmohem jo se kam bërë ndonjë të keqe, kam dëmtuar interesat e ndonjë qytetari, të qytetit apo vendit tim.

Por sulmohem sepse jam kushëri i Elvis Rroshit. Më duket sikur jemi në komunizëm, kur njeriu duhej të jepte llogari edhe kushëririn e shtatë? Elvisi është kushëri imi dhe shpresoj të më votojë, sepse ne si fis e mbështesim njëri-tjetrin dhe kjo është shumë njerëzore. Por unë vendimet për veten time i marr vetë. Sa nga ju pyesni kushërinjtë e farefisin kur merrni një vendim për jetën e tyre? Unë mund të mos kem qenë dakord kur Elvisi kandidoi dhe u bë kryetar i bashkisë për PS-në, por ai e bëri këtë pa më pyetur mua. Edhe ai mund të mos jetë dakord që unë të kandidoj për PAA-në dhe opozitën sot, por kjo nuk është çështje e tij. Unë vendimit tim për të kandiduar i dal për zot vetë. Nëse qytetarët do të mbështesin, do i falenderoj e do i përkushtohem interesave të tyre ditë e natë. Nëse nuk më mbështesin, sërish do i respektoj për vendimin e tyre e do të vijoj jetën dhe punën time.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese