Arqile Bollano do të jetë kryebashkiaku i ri i komanduar i Himarës. Ai do të qëndrojë në këtë post derisa drejtësia të dalë me një vendim të prerë për Fredi Belerin dhe qeveria të vendosë për të shpallur zgjedhjet e reja në bashkinë e bregut të jugut.
Kandidati tjetër në garë, nënkryetari Pervin Gjikuria është tërhequr nga gara dhe në këto kushte Këshilli Bashkiak i ka besuar postin e kryetarit të komanduar Arqile Bollanos. Ai mori 12 vota pro dhe 9 kundër.
Ai ka premtuar se do të jetë bashkëpunues dhe do të punojë për të mirën e Himarës, duke mos parë ndasitë mes mazhorancës dhe opozitës. Votimi i Bollanos vjen pas dorëheqjes së kryetares së komanduar, socialistes Blerina Bala.
Kjo e fundit qëndroi në detyrë për dy muaj dhe dha papritur dorëheqjen, duke theksuar se shkak ishin problemet personale familjare që kërkonin angazhimin e plotë të saj.
Kreu i këshillit Bashkiak Himarë, Dhimitër Kapaj është shprehur se sipas statutit caktohet si kryetar i komanduar një nga dy nënkryetarët. Mbledhja e sotme u shoqërua me debate, por Kapaj kërkoi që ato të liheshin pas për të mirën e Himarës.
“Ushtrimi i mandati fillon në çastin kur bën betimin dhe kur përfundon betimin kandidati pasardhës. Ne jemi përballë këtij fakti pasi edhe në mbledhjen e mëparshme ne kemi pasur këto debate. Por ne duhet të marrim një vendim për të zgjedhur një kryetar për Himarën. Himara nuk është vetëm e jona. Unë rekomandoj që të zgjedhim, ligji e përcakton, janë dy nënkryetarë, të dy burra të nderuar”, tha kryekëshilltari.