
Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë i ka drejtuar një thirrje të fortë qeverisë dhe Kuvendit, duke kërkuar ndërprerjen e praktikave që, sipas tyre po çojnë drejt shkatërrimit të shërbimit përmbarimor privat në Shqipëri.
Në një kërkesë drejtuar Kryeministrit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, përmbaruesit denoncojnë vonesën e pajustifikuar të miratimit të tarifave të shërbimit të tyre, duke e konsideruar këtë një përpjekje të qartë për të gjunjëzuar profesionin dhe për të favorizuar interesa të tjera.
"Ndërprisni praktikën arbitrare që po minon këtë shërbim! Për pesë vite, tarifat janë mbajtur peng, duke krijuar një krizë ekonomike dhe profesionale," thuhet në deklaratën e tyre.
Përmbaruesit gjithashtu i janë drejtuar Kuvendit, duke kundërshtuar propozimin për ndryshime në nenin 511 të Kodit të Procedurës Civile, që parashikon shmangien e gjykatave në lëshimin e urdhrave të ekzekutimit.
"Pse kërkoni gjyqtarë të rinj për këtë proces, kur përmbaruesit privatë janë të specializuar dhe të gatshëm për ta kryer?" thekson Asambleja, duke theksuar se zgjidhja më e mirë është modeli i aplikuar në Kosovë, i huazuar nga vende të zhvilluara si Holanda, Belgjika dhe Franca.
Nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh, përmbaruesit paralajmërojnë masa ekstreme, duke përfshirë bojkotin e shërbimit.

