Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj është një ndër përfituesit e aministisë penale, që ka nisur të zbatohet këtë të mërkurë.
Frrokaj do të lërë sot ambientet e burgut të Reçit, ku vuante dënimin me 2 vite burg për veprën penale shpërdorim detyre, ku u vendos nën akuzë për tjetërsim pronash tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.
Frrokaj përfitoi 1/3 ulje të dënimit, pasi pranoi gjykimin e shkurtuar, me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa për pesë vite ai s’do të ketë të drejtë të ushtrojë funksione publike.
Fran Frrokaj u dënua fillimisht me 4 vite burg, por vendimi u kundërshtua nga ky i fundit dhe Prokuroria e Apelit, të cilët bënë rekurs në Gjykatën e Lartë. Frrokaj kërkonte pafajësinë, ndërsa Prokuroria pretendonte se nuk ishte zhvilluar si një proces i rregullt ligjor, pasi kishte shkelje procedurale.
Tjetërsimi i tokës te Rana e Hedhun
Në vitin 2017 një qytetar denoncoi se toka e tij rezultonte në Hipotekë në emër të disa familjeve të tjera. Prokuroria zbuloi një sipërfaqe të madhe toke prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.
Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”. Sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.